PDK drejtoi gati një dekadë bujqësinë, por Veseli kërkon “fillim të ri” për këtë sektor

PDK drejtoi gati një dekadë bujqësinë, por Veseli kërkon “fillim të ri” për këtë sektor

Ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në fushatën për zgjedhjet e vitit 2014, kishte pasur një moto përafërsisht të njëjtë sikur të Veselit. Ai me “Misionin e Ri” kishte dhënë premtime të mëdha, por shumica kishin mbetur vetëm në letër.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tash e një kohë ka filluar një para-fushatë zgjedhore, ka premtuar nga Prizreni dyfishim të buxhetit për sektorin e bujqësisë.

Në zotimin e tij ndaj bujqëve, Veseli ka ripërsëritur moton tashmë të njohur për një “fillim të ri” edhe në këtë sektor.

“Do të dyfishohet buxheti për bujqësi. Po ua jep fjalën se do të dyfishohet. Ka nevojë Kosova për një fillim të ri edhe në sektor të bujqësisë”, ka thënë ai në Prizren, ku ka bashkëbiseduar me ekspertë të industrisë dhe përpunimit të qumështit.

Sektori i bujqësisë, i cilësuar shpesh nga qeveritë e njëpasnjëshme si më i rëndësishmi për zhvillimin e ekonomisë dhe uljen e papunësisë, në fakt ka qenë tash e disa vite nën menaxhimin e partisë së Veselit.

Aktualisht, këtë ministri e drejton Memli Krasniqi, ndërsa para tij ka qenë ministri aktual i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Poashtu, në vitet 2008-2010, Ministrinë e Bujqësisë e ka udhëhequr Idriz Vehapi, poashtu anëtar i PDK-së.

Kryetari i Kuvendit, Veseli, kishte filluar para disa javëve një “tur dëgjimi” me qytetarët e Kosovës për siç ka thënë, të dëgjojë nga afër brengat e tyre. Pas kësaj, ai ka filluar një tur me ekspertë, duke thënë se do të tentohet të gjendet mënyra për të zhvilluar ekonominë e ulur papunësinë në vend.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk është mohuar nga zyrtarë të kësaj partie të cilët thonë se një gjë e tillë duhet të ndodhë nëse Kuvendi i Kosovës dështon të miratojë cështje madhore për vendin, sic është demarkacioni me Malin e Zi.

Ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në fushatën për zgjedhjet e vitit 2014, kishte pasur një moto përafërsisht të njëjtë sikur të Veselit. Ai me “Misionin e Ri” kishte dhënë premtime të mëdha, por shumica kishin mbetur vetëm në letër./Insajderi.com