PDK “djegë” Rafet Ramën si kundërkandidat të Thaçit për president

PDK “djegë” Rafet Ramën si kundërkandidat të Thaçit për president

Përveç se ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme ku pritet të bëhet zgjedhja e presidentit të ri, sot janë mbledhur edhe nënshkrimet për caktimin e kundërkandidatit të Hashim Thaçit.

Kundërkandidat i tij pritet të jetë Rafet Rama, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Por, vetë Rama i kontaktuar nga Insajderi nuk e di ende se do të jetë ai që do të sfidojë shefin e tij për t’u bërë i pari i vendit.

“Ende nuk ka marrë partia vendim zyrtar, nuk mund të them asgjë një herë”, thotë ai.

Deputeti Rama të njëjtën përgjigje e ka dhënë edhe kur është pyetur se si ndihet që do të garojë me njërin nga politikanët më të fuqishëm të vendit.

Në fakt, sipas të gjitha gjasave, Rama do të jetë kandidati i radhës “i djegur” për president të vendit.

Sipas kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që procesi të jetë i rregullt, nevojiten dy kandidatë në mënyrë që të vazhdohet me votimin për zgjedhjen e presidentit.  Andaj, kandidatura e tij është më shumë ceremoniale.

Më herët, si në rastin e Ramës kanë qenë edhe Suzana Noveberdali që ka kandiduar kundër Behgjet Pacollit, ish-deputeti Naim Maloku që ishte kundërkandidat i Fatmir Sejdiut, dhe Ramë Buja që kishte pasur detyrë të maste forcat me presidentin e parë të vendit, Ibrahim Rugova./Insajderi.com