PDK dhe LDK heshtin për “Dosjen e Shefave” – askush nuk i kërkon dorëheqjen Grabovcit

PDK dhe LDK heshtin për “Dosjen e Shefave” – askush nuk i kërkon dorëheqjen Grabovcit

Zyrtarët e PDK-së kanë zgjedhur heshtjen përballë përgjimeve të publikuara nga Insajderi rreth dy javë më parë, në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë të partisë, përfshirë shefin e grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, kryetarin Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaçi.

Për “Dosjen e Shefave” nuk kanë folur as kryetari Kadri Veseli e zëvendëskryetari Enver Hoxhaj. Koment nuk kanë bërë as tre nënkryetarët, Hajredin Kuçi, Memli Krasniqi e Arsim Bajrami. Askush prej këtyre zyrtarëve nuk ia ka kërkuar publikisht dorëheqjen nënkryetarit të përshirë në skandalin e punësimeve të paligjshme.

Partia e Kadri Veselit para pak minutash ka lëshuar qëndrim sa i përket lirimit të urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës. Mirëpo, asnjë fjalë s’e kanë thënë për skandalin e përgjimeve ku Adem Grabovci dëgjohet teksa bën pazare me pozitat publike. Punëson militantë partiakë në borde, në ministri, në Polici e Prokurori.

Adem Grabovci, aktualisht, mban pozitën e nënkryetarit të PDK-së dhe udhëheq me deputetët e kësaj partie në Parlament. Më herët ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit në Qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Deri më tash për këtë skandal është deklaruar partia opozitare, Vetëvendosje, ndërsa LDK e ka ndjekur rrugën e PDK-së.

Ndërkaq, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të pyetur nga mediet, kanë thënë se duhet të flasë së pari Prokuroria e pastaj partitë politike. Ndërkohë, sot është raportuar se veprat penale në të cilat është i përfshirë Grabovci në përgjime mund ta çojnë këtë zyrtar të PDK-së në burgim për tetë vjet.

Mirëpo, zyrtarisht ende s’ka asnjë vendim për hetime apo ngritje të aktakuzës ndaj atyre që janë përfshirë në këto skandale.

Një grup i shoqërisë civile po kërkon dorëheqjen e Grabovcit dhe veprimin e Prokurorisë. Për këtë çështje janë mbajtur edhe disa proteste me numër të vogël të protestuesve në Prishtinë. /Insajderi.com