PDK dënon aksionin e Vetëvendosjes tek shtëpia e Kadri Veselit

PDK dënon aksionin e Vetëvendosjes tek shtëpia e Kadri Veselit

Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur sjellje vandaliste aksionin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje para shtëpisë së kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të kosovës.

Përmes një komunikate për media, PDK thotë se Vetëvendosje ka tentuar që të kërcënojë familjen dhe të dhunojë pronën private të familjes së liderit të PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës, mirëpret çdo lloj shprehje të pakënaqësisë apo protestave, të garantuara me ligje e Kushtetutë, mirëpo dënon ashpër çdo përpjekje që përmes dhunës dhe kërcënimeve të bëhen përpjekje për realizimin e qëllimeve politike, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Familja dhe prona në traditën tonë gjithmonë janë konsideruar të shenjta dhe asnjëherë nuk janë cenuar nga politika”.

Tutje në reagim thuhet se PDK fton organet e rendit dhe drejtësisë që mos të lejojnë asnjë sjellje vandaliste, ndërsa i fton qytetarët e Kosovës që të kenë besim tek institucionet e Republikës së Kosovës, të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të provokohen nga sjelljet e dhunshme nga kushdo që dëshiron ta shpërbëjë Republikën e Kosovës e cila ka arritur këtu falë punës dhe përkushtimit të gjeneratave të tëra të qytetarëve tanë dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë ditës kanë tentuar të vendosin një pano para shtëpisë së kryeparlamentarit Kadri Veseli me mbi shkrimin  “Veriu nuk ndahet, perëndimi nuk falet!”. Mirëpo ata u ndaluan nga policia e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se aktivizti Musa Ajeti – ish luftëtar i UÇK-së, është lënduar gjatë këtij aksioni.

Sot aktivistët e VETËVENDOSJE!-s tentuan të vendosin pranë shtëpisë së Kadri Veselit, një pano në të cilën shkruante "Veriu nuk ndahet, perëndimi nuk falet!".Policia e kontrolluar nga klani pronto, intervenoi brutalisht ndaj aktivistëve tanë duke dëshmuar edhe njëherë që prioriteti i sistemit tonë shtetëror është mbrojtja e pronave private të kokave të krimit, Kadri Veselit e Hashim Thaçit. Policia aq shumë është vënë në funksion të këtij klani kriminal, sa që intervenon edhe atëherë kur aktivistët thjeshtë duan të vendosin një pano prej letre pranë pronave të tyre.Njëri nga aktivistët pjesëmarrës, Musa Ajeti – ish luftëtar i UÇK-së, është lënduar nga policia dhe ka humbur vetëdijen.

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Friday, 26 August 2016