
Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pritur të kalojë as edhe një ditë e vetme prej kur kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, përmes një konference për media, kërkoi nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që ta dëshmojë punën e pavarur të sistemit të drejtësisë, dhe të merret me përgjimet, duke marrë kështu veprime konkrete dhe të domosdoshme.
PDK ka hedhë sot akuza në drejtim të Shpend Ahmetit dhe partisë së tij e cila qeverisë më Prishtinën, duke thënë se prokuroria mjafton ta hetojë Komunën e Prishtinës për të parë se cilat kompani marrin tenderë.
“Mjafton që prokuroria të hetoj në komunën e Prishtinës, se cilat janë kompanitë që marrin punë nga komuna dhe lidhshmërinë e tyre me Shpendin, Dardanin dhe kreun anarkist të VV dhe për ketë mund të iu referohemi, kompanive që janë duke kryer punime në rrugët Garibaldi, Luan Haradinaj, platoja mbi Kurriz e shumë të tjera, projekte të cilat kanë filluar së ndërtuari para më shumë se një viti dhe ende nuk janë përfunduar, dhe kompanitë në fjalë nuk sanksionohen sepse prapa tyre janë vetë LVV dhe anarkistet e tyre. Pra siç mund të shihet, sot Prishtina po rindërtohet apo më mirë të themi po shkatërrohet nga kompanitë klienteliste që janë të afërta me krerët e VV”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Po ashtu, PDK-ja kërkon nga organet kompetente që të hetohen lejet e ndërtimeve të lëshuara në Prishtinë dhe të verifikohen mënyra seleksionuese e lëshimit për kompani të caktuara të afërta biznesore dhe financuese për operacionet anarkiste të VV.
Gjithashtu, PDK-ja kërkon që të hetohen kontratat e blerjeve të banesave dhe çmimet e blerjes së banesave nga këto kompani ndërtuese për zyrtarët e VV, si dhe mënyrën e administrimit të lokaleve dhe banesave të Komunës së Prishtinës që administrohen nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB).
Dhe jo vetëm kaq. Dyshimet e PDK-së ndaj punës së kryetarit të Prishtinës, Ahmeti, dhe të LVV-së, shkojnë edhe më larg – e pyesin për 72 dosjet të cilat vetë Ahmeti i kishte dërguan në prokurori kundër ish-kryetarit të Komunës, Isa Mustafa.
“Pse u ndalen së hetuari nga prokuroria e shteti 72 lëndët e dërguara nga Shpendi dhe VV në prokurori kundër ish kryetarit të komunës së Prishtinës,?!!! Ne mendojmë se dikush nga gjykata po tenton të i mbyllë me çdo kushte këto lëndë dhe si rezultat i kësaj, po tentohet që të mbyllet krimi me vetëdije, sepse tërë ato lëndë të dërguara në prokurori janë përdorur si presion për kompanitë e ndërtimit për të bërë ripazar me Albinin, Liburnin dhe Dardanin, dhe tëra ato leje ndërtimi që u stopuan në fillim të mandatit të VV-së, prapë në mënyrë të paligjshme janë dhënë por tani me një kushte të ri , me një kundërshpërblim financiar për LVV dhe sekserët e tyre! Ne i ftojmë mediat që të hetojnë këtë fenomen, le të pyesin prokuroria dhe policia kush dhe pse po i heshtë këto krime?!!!”, thuhet më tej në komunikatën e PDK-së.
Zyra e Auditorit Gjeneral, sipas PDK-së, në vitin 2015 ka konstatuar se në Komunën e Prishtinës janë punësuar mbi 276, siç i quan, militantë të LVV me kontrata të jashtëligjshme, dhe për këto kontrata kryetari Ahmeti ka shpenzuar mbi 466 mije euro.
Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar rrethe përgjimeve të publikuara nga Gazeta oline Insajderi.
Por zëvendësministri që vjen nga kjo parti, Valon Murtezaj, i është kundërpërgjigjur zyrtarëve të Vetëvendosjes, duke thënë se LDK-ja nuk është strukur, por është duke i respektuar organet e drejtësisë, edhe pse nuk e përmend emrin e Adem Grabovcit, me apo pa qellim.
“Instalimi i një logjike të ndikimit të sistemit të drejtësisë, për ta luftuar logjikën tjetër të ndikimit të sistemit te drejtësisë, jo vetëm që është non-sens, por është anti-ligjore”, ka shkruar ndër tjera Murtezaj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës si organizim politik më i vjetër në Kosovë, nuk është e strukur, por në këtë logjikë, është më e bukur në krahasim me partitë tjera në Kosovë”, ka shtuar ai.
LDK është në koalicion qeveritar me PDK-së, nënkryetar i të cilës është Adem Grabovci – protagonist i përgjimeve telefonike./Insajderi.com