PDK akuzon VV-në për përfshirje në vrasjet e pasluftës

PDK akuzon VV-në për përfshirje në vrasjet e pasluftës

Blerand Stavileci pretendon se Lëvizja Vetëvendosje është e përfshirë në vrasjet që, siç shprehet ai, ka ndodhur në periudhën e pasluftës në Kosovë.

Zëdhënësi i PDK-së, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë sot se truprojës së një zyrtari të Vetëvendosjes i kishin gjetur armën me të cilën, siç thotë Stavilevci, ishin kryer vrasje të pasluftës.

Megjithatë, ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik nuk ka dhënë detaje rreth pretendimeve të tij për këto vrasje të pasluftës.

“Mollotoviq, vrasësit i keni brenda llojit tuaj. Dihet botërisht truprojës së kujt i janë gjetur armë me të cilat janë kryer vrasje pas luftës. Këtë e dinë edhe prokuroria, por në rrethana të çuditshme në komunikacion edhe ky truproja pastaj e humbi jetën. Ndërsa, ty nuk do ishte keq të të ftonte prokuroria për t‘iu treguar kush tjetër paska bërë vrasje”, ka thënë Stavileci.

Në këtë reagim ndaj deputetit të zgjedhur të VV-së, Dardan Molliqajt, Stavileci e quajti ish-sekretarin e Lëvizjea Vetëvendosje “kriminel” dhe “haraçaxhi”.

“Ti si kriminel ordiner dyshohesh edhe si përgjegjës për organizimin e sulmit me zollë mbi Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Stavileci.

Stavileci e ka ndërlidhur Molliqajn edhe me sulmin ndaj familjes së Drejtorit të RTK-së. Ka thënë se Molliqaj është i dyshuari kryesor i këtij sulmi.

Ky reagim i Stavilecit ka ardhur pas akuzave të Molliqaj se SHIK-u kishte bërë qindra vrasje politike, kishte mbledhur haraç e kishte kidpnauar njerëz.