PDK-AAK-NISMA shpenzuan mbi 100 mijë euro për katër ditë fushatë

Demokraci Plus dhe Çohu! kanë shpalosur sot të gjeturat e tyre rreth monitorimit të shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore për katër ditë.

Fokus i këtij monitorimi ka qenë fushata e partive politike në media, duke përfshirë televizionet, portalet dhe gazetat.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA, për katër ditë të fushatës ka shpenzuar më së shumti nga partitë tjera politike.

Ndërkaq për shpenzimet në gazeta primatin e mban koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa.

“Për shpenzimet në gazeta prinë koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa me 3560 euro të shpenzuara për katër ditë, përderisa PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 3250 euro. Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar vetëm 260 euro për katër ditët e para të fushatës”, u tha sot në një konferencë për media të organizuar nga Demokracia Plus dhe Çohu.

Sipas ‘D+’ dhe ‘Çohu’, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka shpenzuar rreth 55,251 euro në transmetime të reklamave në media.

“D+ dhe Çohu! po ashtu kanë bërë monitorimin e televizioneve RTK, KTV, Klan Kosova dhe RTV 21. PDK, AAK dhe Nisma në këtë periudhë kanë shpenzuar 55,251 euro në transmetime të reklamave në media. LDK, AKR dhe Alternativa shpenzuan 25,970 euro, përderisa Lëvizja Vetëvendosje ka paguar 3,661 euro për transmetime. Partitë tjera politike kanë shpenzuar 5,883 euro”, është bërë e ditur.

Ndërsa “numrin më të madh të reklamave për subjektet politike e ka pasur gazeta “Zëri” me 41 reklama, përderisa “Epoka e Re” me 18 sosh. Gazetat e tjera ditore kanë pasur një numër shumë më të vogël të reklamave”, thuhet sipas monitorimit të D+ dhe Çohu.

Po ashtu edhe numri i reklamave nëpër portale online për katër ditë fushatë është shumë i madh ku koalicioni PDK-AAK-NISMA e kryeson listën.

“Në anën tjetër është vërejtur një numër i madh i reklamave në portale online për këto katër ditë, të cilat janë monitoruar në bazë të ofertave të vetë këtyre portaleve. Nga monitorimi vërehet se PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 23,350 euro, ndërsa LDK, AKR dhe Alternativa kanë shpenzuar 20,500 euro në këto reklama për katër ditë”, u bë e ditur në këtë konferenc.

Gjithashtu edhe “spotet televizive të transmetuara për të njëjtën periudhë janë vlerësuar me këto shifra: PDK, AAK dhe Nisma kanë pasur vlerë të përafërt të spoteve prej 17,300 euro. LDK, AKR dhe Alternativa kanë pasur 21,400 euro, përderisa Vetëvendosje është vlerësuar se ka shpenzuar më së paku në xhirimin e spoteve, përkatësisht 1,700 euro.

Ndërsa një shumë e madhe e shpenzimeve është bërë edhe për xhirimin e tubimve të partive politike.

“Shumë e madhe e mjeteve është shpenzuar po ashtu për xhirimin dhe transmetimin e tubimeve të partive politike. Për këto katër ditë në katër televizione janë shpenzuar këto shuma të parave. PDK, AAK dhe Nisma kanë shpenzuar 36,000 euro, LDK, AKR dhe Alternativa 44,000 euro dhe Vetëvendosje 28,000 euro”, është bërë e ditur sipas monitorimit të këtyre dy organizatave. /Insajderi.com