PD reagon për gjykimin e “Grupit të Kumanovës”

PD reagon për gjykimin e “Grupit të Kumanovës”

Partia e Drejtësisë e vlerëson shpalljen e djeshme të vendimit gjyqësor për të ashtuquajturin “Grupi i Kumanovës” si shembull të ri eklatant të mungesës së drejtësisë me qëllim të demonizimit të Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

Sipas PD-së, duke anashkaluar shumë prova të ofruara nga mbrojtja e të akuzuareve, gjyqtarët mohuan të drejtën e tyre elementare për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

“Rrethanat e ngjarjes së Kumanovës përmbajnë shumë mistere për të cilat procesi gjyqësor që dje përfundoi nuk dha përgjigje as për së afërmi, prandaj është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Maqedonisë të siguroj kushte për proces të pavarur hetimor dhe gjyqësor nga ana e drejtësisë ndërkombëtare”, thuhet në një kumtesë të PD-së.

Sipas saj, është shumë e qartë se të dënuarit dje me masa drakonike gjyqësore kanë qenë viktima të një komploti mirë të menduar që në mënyrë perfide ka manipuluar ndjenjat e tyre të dëshmuara kombëtare dhe atdhetare dhe ka pasur për synim përdorimin e kësaj ngjarje tragjike qartë të inskenuar për nevoja të grupacioneve të ndryshme të interesit në Republikën e Maqedonisë.

Sipas PD-së, për hirë të një të ardhme bashkëpunuese ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë është e domosdoshme që në vijim të këtij procesi gjyqësor të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare juridike dhe me këtë jemi të bindur se do të zbulohet e vërteta dhe  do të korrigjohet gabimi historik i drejtësisë maqedonase që ndodhi dje.