“Pay My Internship – Kosovo”, iniciativa kundër padrejtësisë ndaj praktikantëve

“Pay My Internship – Kosovo”, iniciativa kundër padrejtësisë ndaj praktikantëve

Duke qenë dëshmitarë të shkeljeve të shumta që iu bëhen praktikantëve nga punëdhënësit e tyre, të cilët për muaj të tërë punojnë dhe nuk paguhen, një grup i të rinjve kosovarë ka ndërmarrë iniciativën e themelimit të nismës “Pay My Internship – Kosovo”.

“Pay My Internship – Kosovo” është iniciativë e nisur nga Linda Gjokaj, aktiviste, anëtare ne disa organizata përfshirë  Këshillin Rinor te Ambasadës Amerikane, Ardian Nikolla, aktivist dhe gazetar dhe Mentor Gjergjaj, gazetar ne gazetën Express.

Kjo nisme avokon për të zbutur padrejtësitë që iu bëhen praktikanteve nga punëdhënësit e tyre, përkatësisht mos pagesa e punës praktike.

“Me anë të kësaj nisme, synohet që të gjithë praktikantët të cilët janë të angazhuar në institucionet publike apo në organizata dhe kompani të ndryshme në sektorin privat të paguhen për punën që ata kryejnë,” tha Linda Gjokaj për Insajderin.

E ky synim sipas saj duhet të përmbushet pasi shumica nga praktikantët punojnë me orar të plotë, 8 orë në ditë, dhe pasi ky angazhim padrejtësisht nuk konsiderohet punë, edhe nuk paguhet.

Dhe për këtë nisma për synim kanë edhe sensibilizimin e institucioneve ligjvënëse për të hartuar dispozita ligjore në mënyrë që të përligjet pagesa ndaj praktikantëve.

“Fillimisht me iniciativën ne po synojmë qe kjo çështje te diskutohet te akterët përkatës, e pastaj normalisht te marrim hapa konkret për të ndryshuar gjendjen,” shkruan Gjokaj.

Nisma përmes faqes në Facebook “Pay My Internship – Kosovo” do të bëjë identifikimin e organizatave, kompanive qe shfrytëzojnë te rinjtë pa asnjë pagesë, e pastaj do marrë edhe dëshmi nga vetë të rinjtë.

Kjo iniciativë, tregon Gjokaj, që u motivua nga lëvizje të ndryshme në botë që tashme kanë filluar kampanjat, në disa vende ka pasur edhe tubime të ndryshme për të ngritur vetëdijen tek të rinjtë, rrjedhimisht për të ndikuar institucionet e ndryshme.