“Pavarësia ekonomike e gruas po i prishë familjet” – mesazhi skandaloz që mësojnë nxënësit në Kosovë

“Pavarësia ekonomike e gruas po i prishë familjet” – mesazhi skandaloz që mësojnë nxënësit në Kosovë

“Pavarësia ekonomike e gruas bënë që lidhja bashkëshortore të konsiderohet jo aq e domosdoshme,  siç ka qenë dikur. Kjo ndikon të shtohet numri i shkurorëzimeve”. Ky është mesazhi që nxënësit e klasës së nëntë marrin nga libri i tyre “Edukatë Qytetare” – shkruan Periskopi.

Familja – është një nga temat kyçe për të cilat u ligjërohet fëmijëve në shkolla, në lëndën “Edukatë Qytetare”.

Por, mesazhi që librat e njëjtë bartin për konceptin e familjes dhe marrëdhëniet bashkëshortore është skandaloz.

“Familja bashkëkohore, marrëdhëniet midis brezave dhe problemet” është një nga mësimet e “Edukatës Qytetare” për klasën e nëntë. Në të, ndër të tjerash nxënësit mësojnë shkaqet që po i shkaktojnë shkurorëzimet e shumta.

“Pakënaqësia në raportet e bashkëshortëve, hapësira e kufizuar e banimit, shkaku i hapësirave të mbyllura në banesë, kushtet e rënda të banimit me qira, orari i ngjeshur i punës”, janë disa nga shkaqet që përmenden për shkurorëzimin.

Por jo vetëm. Sipas të njëjtit mësim, pavarësia ekonomike e gruas bën që lidhja bashkëshortore të konsiderohet jo aq e domosdoshme, siç ka qenë dikur. Sipas autorëve të këtij libri, kjo ndikon që të shtohet numri i shkurorëzimeve (divorcit) – transmeton Periskopi.

Ndonëse e drejta për punë është një nga të drejtat themelore që nuk specifikon gjini, në këtë libër bartet një mesazh i tillë që punësimi i gruas është i dëmshëm për familjen tradicionale.

Një mesazh i tillë vazhdon të mësohet nga nxënësit, ndonëse në Kosovë po punohet secilën herë për fuqizimin ekonomik të gruas, si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë.

Në të njëjtin tekst thuhet se punësimi i prindërve kushtëzon raporte të reja në familje.

“Në rrethana të tilla fëmijët e moshës së mesme kohën më të madhe duhet ta kalojnë në institucione parashkollore apo edhe në mjediset shtëpiake në përkujdesje të të tjerëve. Kjo ndikon që ata t’i ekspozohen qëndrimit para mediave elektronike, kompjuterit e televizionit, efektet e të cilave nuk mund të kontrollohen lehtë. Në këto rrethana, edhe marrëdhëniet e brezave në familje fillojnë të luhaten, madje edhe të përkeqësohen seriozisht”, thuhet në atë tekst.

Aty përmendet edhe zbehja e raporteve mes familjes së gjerë.

“Në Kosovë, krahas familjes bërthamë, ekzistojnë edhe familje të gjera. Kjo ndikon që të ekzistojnë lidhje të ngushta midis gjeneratave në familje: gjyshërve, prindërve dhe fëmijëve (nipave dhe mbesave). Në realitetin aktual, kjo dukuri është duke u zbehur”, vazhdon teksti tutje.