Pavarësia dhe fuqia e shtetit – 10 vjet kriminalitet në veri

Pavarësia dhe fuqia e shtetit – 10 vjet kriminalitet në veri

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, institucionet e vendit për herë të parë ndërmorën një aksion me policinë e rendit për ta shtrirë ndikimin edhe në veri të Mitrovicës, në të cilën pjesë vazhdon të lulëzojë krimi i organizuar. Madje, atje nuk vërehet as dora e shtetit.

Aksioni ishte ndërmarrë me urdhër të asokohe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku forcat policore shkuan deri te kufiri në veri.

Atje u vra polici Enver Zymberi, duke lënë pas vetes gruan dhe fëmijët.

Por, pas këtij aksioni u rebeluan serbët në veri. Dogjën edhe dy pikat kufitare në atje, duke treguar se institucionet e vendit janë të paafta ta kontrollojnë atë pjesë.

Ashtu edhe doli – shteti ende nuk ka kontroll të plotë në atë pjesë, ku dominojnë bandat kriminale.

Por cila është fuqia juridike e shtetit në atë pjesë edhe pas 10 vjet të shtetësisë?

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë për Insajderin se shteti ende nuk ka kontroll efektiv atje.

“Pjesa veriore e Republikës së Kosovës, edhe në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, mbetet një vend ku shteti i Kosovës ende nuk ka kontroll efektiv dhe të pavarur në menaxhim dhe administrim, sikurse në pjesën tjetër të territorit të Republikës”, ka thënë Miftaraj për Insajderin.

Megjithatë, në bisedimet që po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ishte arrtur marrëvëshja për integrimin e sistemit të drejtësisë edhe në veri.

Por deri më tani zbatimi i kësaj marrëveshjeje po hasë në vështirësi.

“Përderisa, në vitet e fundit si rezultat i marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, personeli i strukturave paralele të sigurisë dhe të drejtësisë janë integruar në institucionet e Republikës së Kosovës, Kosova ende ka vështirësi në kontrollimin e kësaj pjesë të Kosovës”, ka shtuar Miftaraj.

Por cila është pengesa kryesore për shtrirjen e drejtësisë në veri?

Veriu i Mitrovicës njihet si vend i bandave kriminale të cilat e kontrollojnë atë pjesë. Sa herë që shteti ka tentuar ta ushtrojë ndikimin e vet atje, ka hasur në rezistencë të fortë.

“Edhe dhjetë vite pas pavarësisë së Kosovës, ndikimi i institucioneve të sigurisë dhe grupeve kriminale nga Serbia është evident dhe po paraqitet si pengesë e patejkalueshme për institucionet e Kosovës për të ofruar siguri dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në pjesën veriore”, vlerëson Ehat Miftaraj.

Që nga koha kur kryeministri tentoi me forcë ta fuste nën kontroll atë pjesë, atje janë kryer shumë krime, nga vrasja e policit Enver Zymberi e deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.

“Që nga viti 2011, në pjesën veriore janë kryer një varg krimesh serioze, duke përfshirë vrasjen e Policit të Republikës së Kosovës, Enver Zymberi, doganierin e EULEX-it, Audrius Senavicius dhe së fundi edhe politikanin dhe të dyshuarin për krime lufte Oliver Ivanoviq”, ka thënë Miftafaj.

Sipas tij, këto vrasje hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit juridik dhe kushtetues të shtetit të Kosovës, dhe që për qëllim kanë përgjimin e ndjenjës së pasigurisë dhe stabilitetit të brishtë në këtë pjesë të Kosovës.

Kush dështoi në veri?

Duke marrë për bazë krimet në veri, Miftaraj thotë se atje, përveç institucioneve vendore, dështoi edhe EULEX-i, që t’i kapin kryesit e veprave kriminale.

“Fatkeqësisht, si institucionet vendore por edhe vetë EULEX-i kanë dështuar për të zbuluar kryesit e vrasjes qoftë të Enver Zymberit por edhe të Audrius Senavicius, edhe përkundër se nga këto vrasje tanimë kanë kaluar mbi 6 vite, respektivisht 4 vite”, ka thënë ai.

Në këtë drejtim, sipas Miftarajt, institucionet qendrore në Kosovë duhet të ndërmarrin rol shumë më proaktiv për të ushtruar kontrollin efektiv në këtë pjesë të vendit, në radhë të parë përmes mekanizmave të mbikëqyrjes dhe monitorimit të policisë, prokurorisë dhe gjykatave, dhe në ato raste kur personeli i integruar del jashtë kompetencave dhe përgjegjësive ligjore të ndërmerren masa ligjore, si dhe kërkesës së faktorit ndërkombëtar që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që të ndalojë ushtrimin e kontrollit në këtë pjesë të Kosovës qoftë përmes organeve të saj të sigurisë apo grupeve kriminale./Insajderi.com