Komuna e Podujevës bëri shkelje ligjore në projektin e rrugës Zahir Pajaziti (dokument)

Komuna e Podujevës bëri shkelje ligjore në projektin e rrugës Zahir Pajaziti (dokument)

Asnjë procedurë ligjore duket se nuk është ndjekur nga komunarët e Podujevës kur kanë vendosur të meremetonin rrugën kryesore të qytetit që mban emrin e heroit, Zahir Pajaziti.

Ekzekutivi e ka anashkaluar tërësisht Kuvendin Komunal kur e kishte “ndërruar” projektin që ishte paraparë për këtë rrugë si: zgjerimi, ndërtimi dhe asfaltimi me tërë infrastrukturën përcjellëse dhe ka vendosur që ta “kompensojë” me një shtresë asfalti, shkruan sot Koha Ditore.

Nuk dihet nëse janë ndjekur edhe procedurat e prokurimit, pasi zyrtarët komunalë nuk kanë treguar nëse kanë shpallur tender për këtë projekt, sa ka kushtuar, nga cila kategori (kod) buxhetore janë marrë mjetet, pse është ndërruar pa vendim të Kuvendit ky projekt, as për keqpërdorimin e parasë publike, pasi asfalti i shtruar sivjet është paraparë të prishet mot? Përgjigjet për këto pyetje u janë kërkuar që nga 25 tetori, përkatësisht 2 nëntori.