Pasuritë e kandidatëve për kryetar të Gjilanit – tre prej tyre janë “milionerë”

25.08.2017 19:16

Tre nga katër kandidatët e partive politike për kryetarë të komunës së Gjilanit kanë pasuri milionëshe. Në deklarimet e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Rexhep Kadriu nga AAK, Sami Kurteshi nga Vetëvendosje dhe Lutfi Haziri nga LDK kanë deklaruar se kanë pasuri prej së paku një milionë eurove.

Pasuritë e kandidatëve për kryetar të Gjilanit – tre prej tyre janë “milionerë”

Saktësisht 1 milion e 650 mijë euro vlerë të pasurisë së paluajtshme ka deklaruar Lutfi Haziri në deklarimin e pasurisë për vitin 2017. Kryetari aktual i Gjilanit i ka thënë Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) se shumica e kësaj pasurie është e trashëguar nga familja.

Përveç pasurisë së paluajtshme milionëshe të Hazirit, nënkryetari i Gjilanit – sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2017 – mban edhe 135 mijë euro para të gatshme në bankat e Kosovës. Të gjitha këto para, Haziri i ka deklaruar në emër të tij.

Në total, pasuritë e kryetarit të Gjilanit pothuajse arrijnë vlerën e 2 milionë eurove, raporton Insajderi.

Edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka një pasuri milionëshe të trashëguar nga familja e tij.

Pasuria e paluajtshme që Kurteshi e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) shkon deri në mbi 1 milion euro. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2016 – në kohën sa shërbente si Avokat i Popullit – Kurteshi kishte deklaruar këtë pasuri si të përbashkët me familjen e tij.

Ndërkaq, Kurteshi ka deklaruar pasuri të luajtshme prej 90 mijë eurove. Ai kishte deklaruar një biblotekë private, të cilën po ashtu ka thënë se e ka trashëgimi nga babai i tij, por edhe nga mjetet personale të tij, raporton Insajderi.

Në vitin 2016, kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Gjilanit ka deklaruar se mban rreth 20 mijë euro para të gatshme në bankë.

E më i pasuruari nga katër kandidatët që do të garojnë për të parin e Komunës së Gjilanit, është Rexhep Kadriu nga AAK.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2017 në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), Kadriu ka deklaruar pasuri prej afër 3 milionë eurove – saktësisht 2 milionë e 858 mijë e 811 euro. Të gjitha këto pasuri, Kadriu i ka deklaruar në emër të vetin.

2 milionë e 436 mijë e 811 euro është vlera e pasurisë së paluajtshme që posedon nënkryetari i Komunës së Gjilanit. Rexhep Kadriu ka deklaruar dy shtëpi dhe katër banesa si pasuri të paluajtshme.

Përpos këtyre, ai ka deklaruar edhe nëntë parcela me tokë – disa prej të cilave, siç ka deklaruar vet ai në AKK, i shfrytëzon për biznes.

Prejardhjen e kësaj pasurie, Rexhep Kadriu e ka justifikuar se ka ardhur nga trashëgimia e familjes së tij, nga kursimet dhe nga të ardhurat e bizneseve të tij.

Ndërkaq, Kadriu ka deklaruar edhe 422 mijë euro pasuri të luajtshme në deklarimin e pasurisë për vitin 2017.

Në këtë pjesë të pasurisë Kadriu ka deklaruar dy vetura limuzinë, të tipave Mercedes dhe Passat. Të gjithë prejardhjen e pasurisë së luajtshme Kadriu e ka prejardhje nga bizneset e tij private, raporton Insajderi.

Po ashtu, kandidati për kryetar të Gjilanit ka deklaruar se i ka deponuar rreth 16 mijë euro para të gatshme në bankë, për fëmijët e tij.

Kadriu ka shërbyer si nënkryetar i Komunës së Gjilanit në katër vitet e fundit. Në këtë periudhë AAK-ja bashkëqeverisi në Gjilan së bashku me LDK-në e Lutfi Hazirit.

E kandidati i vetëm për kryetar të Gjilanit që ka deklaruar pasuri prej më pak se një milion eurove është Zenun Pajaziti nga PDK.

394 mijë e 940 euro e ka deklaruar pasurinë e tij të paluajtshme kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti.

Ai ka një veturë, të cilën e ka deklaruar në vlerën e 20 mijë eurove, si pasuri të luajtshme. Por, Pajaziti ka deklaruar se mban vetëm 1 mijë e 800 euro para të gatshme në bankë. /Insajderi.com