Pasi deklarohen të gjithë, reagon edhe MPJ-ja për qëndrimet e Korenicës

Pasi deklarohen të gjithë, reagon edhe MPJ-ja për qëndrimet e Korenicës

Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dënuar gjuhën e përdorur me përmbajtje anti-semitiste ndaj popullit dhe shtetit izraelit, nga kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

“Marrëdhëniet në mes popullit shqiptar të Republikës së Kosovës dhe atij izraelit kanë qenë gjithherë të shkëlqyeshme dhe për këtë më së miri e dëshmon historia. Gjuha dhe deklaratat me përmbajtje urrejtëse dhe elemente të forta anti-semitiste janë të papranueshme dhe duhet të dënohen jo vetëm nga Institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës, por, nga cdo qytetar ordiner”, thuhet në një komunikatë për media.

Ndër tjerash përmes kësaj komunikate ministri Pacolli ka thënë se “Kosova dhe populli i saj gjithherë kanë qenë shembull i tolerancës ndër-etnike dhe ndër-fetare dhe kjo frymë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ndërkohë i ka uruar Vitin e Ri “Rosh Hashanah”, popullit hebrenj gjithandej nëpër botë dhe Bashkësisë Hebraike të Kosovës, duke i dëshiruar një vit të mbarë, të begatshëm dhe ku paqja, respekti, dhe harmonia të mbizotërojnë. /Insajderi.com