Pas vrasjes së Ivanoviqit, Serbia ndërprenë bisedimet në Bruksel

Pas vrasjes së Ivanoviqit, Serbia ndërprenë bisedimet në Bruksel

Serbia ndërpret bisedimet në Bruksel, shkak vrasja e Ivanoviqit dhe kërcënimet e Veselit.

Delegacioni i Serbisë në Bruksel ka ndërprerë bisedimet që nisën sot dhe mësohet se ata do të kthehen me urgjencë në Beograd për shkak të vrasjes së liderit serb të SDP-së në Mitrovicë të Veriut, Oliver Ivanoviq.

Gazeta “Blic” e Beogradit thotë se delegacioni i Serbisë i ka ndërprerë bisedimet në Bruksel, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithnjë sipas “Blicit”, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Kjo gazetë thotë se arsye e ndërprerjes së bisedimeve janë vrasja e Ivanoviqit dhe kërcënimet e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili, gjatë akademisë së djeshme përkujtimore për masakrën e Reçakut, deklaroi se “Serbia plakë mos të provon të kthehet, se më nuk do të ndalemi deri në Nish”.

Vuçiq ka caktuar sot për në orën 12 takimin urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë ndërsa në orën 13 do t’u drejtohet mediave.

Ndërprerjen e bisedimeve në Bruksel e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës.

“Është e vertet që delegacioni serb e ka anulu takimin që është dasht të filloj në orën 10 për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Se a do të vashdojnë bisedimet do ta kuptojmë sot në mbrëmje por krejt kjo është qëndrimi i delgecaionit serb”, ka thënë Arifi për lajmi.net.