Pas raportimit të Insajderit, babai i Dua Lipës premton t’i bejë publike të hyrat e Fondacionit

Pas raportimit të Insajderit, babai i Dua Lipës premton t’i bejë publike të hyrat e Fondacionit

Dy vite pasi kishte premtuar se pas dy javësh do t’i bënte publike fitimet e koncertit të vajzës së tij, Dua Lipës, që ishte mbajtur me 9 gusht 2016, dhe vetëm disa orë pasi Insajderi raportoi se këto të hyra nuk ishin bërë publike deri më tash, Dukagjin Lipa ka dalë me shifra të sakta.

Në një reagim ndaj raportimit të Insajderit, Dukagjin Lipa ka thënë se jo shumë larg nga dita e sotme, fondacioni i cili është në patronazhin e Dua Lipës do të ndajë 100,000 euro “për organizatat e ndryshme që merren me fëmijë dhe komunitete të nën-përfaqësuara”.

“Veç edhe pak javë jemi larg ditës kur publikisht do ti ndajmë mbi 100,000 euro për organizatat e ndryshme që merren me fëmijë dhe komunitete të nën-përfaqësuara”, ka thënë Lipa, teksa në reagim ndaj shkrimit të Insajderit ka shtuar se fondacioni “SunnyHill” është “njëra ndër iniciativat e pakta private që bën një donacion në këtë vlerë”.

Insajderi raportoi sot se dy vite pas themelimit të “SunnyHill”, ky fondacion nuk ka bërë asnjë publikim të të dhënave nga shitja e biletave të koncertit të Dua Lipës që ishte mbajtur në Prishtinë më 2016 e as nuk ka bërë ndonjë ndarje të fondeve për të ndihmuar të rinjtë dhe pjesën e margjinalizuar, siç premtonte Lipa asokohe.

Lipa e ka pranuar se fondacioni “SunnyHill” nuk ka ndarë asnjë mjet që prej asaj kohe. Është arsyetuar duke thënë se fondacioni i ka mbajtur mjetet e ngrira “sepse nuk ka dashur që ato t’i ndajë në kohë zgjedhjesh”.

Mirëpo, ai ka premtuar se fondacioni të cilin ai e drejton, do t’i dokumentojë në detaje të gjitha të dhënat.

“Fondacioni i ka mbajtur mjetet e ngrira, pikërisht sepse nuk ka dashur që ato t’i ndajë në kohë zgjedhjesh, kur Dua Lipa e ka pasur mundësinë e vetme për të ardhë në Kosovë. Të gjitha pohimet tona kemi me i dokumentu me detaje”, është shprehur Lipa, në një shkrim të publikuar të enjtën në Facebook.

Ndonëse ka pohuar se fondacioni “SunnyHill” i ka mbajtur mjetet e ngrira, Lipa ka sulmuar Insajderin. Ka thënë se lajmi është i pavërtetë.

Në artikullin e publikuar të enjtën, me titull: “Bordi politik prapa koncertit të Dua Lipës dhe fondacioni që nuk i ndihmoi askujt“, Insajderi dëshmoi se “Sunny Hill” nuk ka ndarë fonde për rininë në Kosovë, ashtu siç kishte premtuar. Po ashtu, në këtë artikull, Insajderi ka raportuar për bordin politik që qëndron prapa këtij fondacioni.

Ky bord përbëhet nga Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës dhe Partisë Social-Demokrate, dhe nga njerëz të tjerë që nuk janë kryetar partish sikurse Shpend Ahmeti por që lidhen ngushtë me disa nga emrat më të fuqishëm të politikës në Kosovë.

Pjesë e bordit është Laura Kryeziu-Selimi që në Bordin e fondacionit prezantohet si themeluese e Fondacionit “LKS” e që i ishte bashkangjitur partisë së kryeminsitrit Ramush Haradinaj në zgjedhjet e 2014-ës dhe drejtori i kompanisë “Ipko”, Bujar Musa, i cili ka lidhje te ngushta me presidentin Hashim Thaçi. Musa ia kishte lëshuar edhe banesën me qira ish-kryetarit të PDK-së.

Po ashtu, në këtë bord bën pjesë edhe drejtuesi i Agjencisë shtetërore për Investime, Besian Mustafa i cili ishte emëruar në kohën e kryeministrit Isa Mustafa por që i ka mbijetuar edhe qeverisë së Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell janë dy personalitetet e vetme që nuk kanë lidhje politike e që janë pjesë e Bordit të Fondacionit “SunnyHill”.

Ky fondacion ishte prezantuar në vitin 2016 kur këngëtarja prishtinase Dua Lipa që sapo ishte bërë e famshme, edhe për shkak të përkrahjes nga audienca shqipfolëse, kishte mbajtur një koncert në Parkun e Gërmisë.

Atë kohë koncertin e kishte organizuar Komuna e Prishtinës me në krye me Shpend Ahmetin dhe kompaninë e babait të Dua Lipës “Republika” Dukagjin Lipa  që tashmë drejton Fondacionin “SunnyHill”. /Insajderi.com