Pas pushimit nga puna për ngacmime seksuale, Lauer kërkon falje

Pas pushimit nga puna për ngacmime seksuale, Lauer kërkon falje

Ish-drejtuesi i emisionit të mëngjesit “Today”, Matt Lauer, që u pushua nga puna për sjellje të papërshtatshme tha sot se riparimi i dëmit që ka shkaktuar do të jetë tani puna e tij e vetme. Përgjigjia e tij e parë pas pushimit, u lexua nga ish-kolegia e tij, Savannah Guthrie.

Në deklaratë Lauer tha se disa nga pretendimet nuk ishin të vërteta, ose ishin keqinterpretuar, por shtoi se “në historitë e grave kishte të vërteta të mjaftueshme që ta bënin atë të ndjehej i turpëruar”. NBC-ja e pushoi Lauerin vetëm dy ditë pasi mori një ankesë kundër tij.

Pas akuzës së parë, NBC-ja tha se dy gra të tjera kanë bërë akuza ndaj tij. Në të njëjtën ditë, një personalitet i radios u pushua nga puna për të njëjtën arsye. Ndërsa ligjvënësit amerikanë diskutuan sesi ta trajtojnë çështjen e ngacmimeve seksuale në Kongres.

Pushimi i menjëhershëm nga puna i Matt Lauerit u prit me befasi nga miliona amerikanë që shihnin emisionin e tij treorësh të mëngjesit në NBC prej dy dekadash, si edhe nga koleget e tij që dhanë dje lajmin drejtpërdrejt në televizion.

“Po përpiqemi të kuptojmë dilemën me të cilën janë përballur aq shumë njerëz janë përballur këto javët e fundit. Si mund ta duash dikë dhe njëkohësisht të përballesh me lajmin se ai është sjellë në mënyrë të papërshtatshme. Unë nuk e di përgjigjen e kësaj pyetjeje”, tha në fillim të emisionit, Savannah Guthrie, drejtuesja tjetër e emisionit “Today”.

Megjithëse Lauer është një nga shumë burrat në media që janë pushuar nga puna pas këtyre akuzave në javët e fundit, statusi i tij si një nga drejtuesit më të njohur të emisioneve të mëngjesit, e bën largimin e tij më të rëndë.

“Ai është një person me peshë në relievin e medias sepse ka qenë në atë program çdo ditë për 20 vjet. Kur një histori që ka në qendër dikë të asaj stature përfshin akuza për ngacmim seksual, është diçka e madhe. Dhe kur një rrjet televiziv merr menjëherë masë kundër tij, është e jashtëzakonshme”, tha Al Tompkins, analist i medias.

Po të mërkurën, personaliteti i Radios Publike të Minesotës, Garrison Keillor u pushua nga puna për “sjellje të papërshtatshme”. Disa nga admiruesit e tij e morën lajmin në një spektakël ku ai pritej të interpretonte në Nju Jork.

“Ka shkallë të ndryshme përsa i takon ngacmimit seksual, por sido që të jetë, në çdo lloj niveli ato janë të papranueshme”, tha Rick Pocock që kishte bileta për spektaklin.

“Jam e zhgënjyer, shumë e zhgënjyer me të dhe që nuk do ta shohim dot sot”, tha Rose Pocock.

Keillor njihet si ish drejtuesi i emisionit “A Prairie Home Companion” dhe deri dje kishte një seri të përditshme mbi poezinë dhe letërsinë, që quhej “Almanaku i Shkrimtarit”.

Keillor vetë i tha një gazete se i kishte kërkuar falje koleges pasi e kishte prekur në shpinën e zhveshur.

Lauer dhe Keiller janë personalitetet e fundit që përballen me akuzat për sjellje të papërshtatshme. Ndërkohë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po përballen me akuzat që i janë bërë kongresmenit, John Conyers, për ngacmime në vendin e punës dhe përdorimin e parave të taksapaguesve për të mbuluar skandalet.

“Nuk mund të gjykoj një kongresmen dhe të kërkoj dorëheqjen e tij nëse nuk i kam parë të gjitha provat dhe argumentat në mbështetje të këtyre provave”, tha anëtarja demokrate e Kongresit, Linda Sanchez.

Lauer, Keillor dhe Conyers janë mes emrave të fundit të njohur që përballen me akuza për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmime seksuale. Presidenti Trump komentoi për shkarkimin e Lauerit në Twitter dje, duke shtruar pyetjen se kur do të shkarkoheshin shefat në NBC për siç tha ai transmetimin e “lajmeve të rreme”. Zoti Trump I ka quajtur akuzat ndaj tij për ngacmime seksuale nga më shumë se dhjetë gra “lajme të rreme”./VoA