Pas përfitimit të 82 mijë eurove, ish-këshilltari i Thaçit shpërblehet nga shteti për vepër jetësore

03.11.2017 20:27
Pas përfitimit të 82 mijë eurove, ish-këshilltari i Thaçit shpërblehet nga shteti për vepër jetësore

Regjisori Fadil Hysaj ka fituar sot çmimin kombëtar për vepër jetësore, të ndarë sot nga Ministria e Kulturës.

Hysaj kishte shërbyer si këshilltar i Hashim Thaçit, gjatë kohës kur presidenti aktual i Kosovës ishte shef i qeverisë. Regjisori Hysaj ishte këshilltar për kulturë i ish-kryeministrit Thaçi, raporton Insajderi.

Pas pranimit të çmimit, Hysaj tha se të punosh në teatër për 45 vjet është sikur të kalosh 100 vjet në jetë.

“Është një jetë mes personazhesh. Këtë çmim ia dedikoj së pari atyre personazheve që janë me qindra. Do të isha i lumtur të kthehem në teatër me “Shfaqjen e Fundit””, tha Hysaj.

Por, kjo nuk është hera e parë që ish-këshilltari i Hashim Thaçit është shpërblyer nga Ministria e Kulturës.

Gjatë viteve të kaluara, fiks 82 mijë euro para të Ministrisë së Kulturës, kishin përfunduar në llogari të Hysajt.

Hysaj, 12 mijë euro i kishte përfituar në vitin 2010 si subvencion nga Ministria e Kulturës për shfaqjen “Hyjnesha në Fron”, derisa siç kishte raportuar gazeta “Zëri”, 70 mijë euro të tjera është subvencionuar për gjashtë vjet festivali “Etno Fest” që Fadil Hysaj e organizon në pronën e tij në fshatin Kukaj.

Gjithë këto përfitime në llogari të Hysajt kanë shkuar pak vite pasi ai ishte zgjedhur këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. /Insajderi.com