Pas fitores Erdogani e shfuqizon kryeministrin

Sipas sistemit të ri, do të shfuqizohet funksioni i kryeministrit ndërsa kompetencat ekzekutive do t'i transferohen presidentit i cili do të sundojë me kontroll të pakufizuar të pushtetit.

Pas fitores Erdogani e shfuqizon kryeministrin

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pas fitores në zgjedhjet presidenciale do ta vazhdojë sundimin e tij edhe për pesë vjet me kompetenca të reja shumë më të zgjeruara.

Komisioni zgjedhor e shpalli fitoren e Erdoganit në zgjedhjet e djeshme të cilat janë hyrje në sistem të ri presidencial i cili u miratua në referendum vitin e kaluar, transmeton AP.

Sipas  sistemit të ri, do të shfuqizohet funksioni i kryeministrit dhe kompetencat ekzekutive do të kalojnë te presidenti i cili do të sundojë me kontroll të pakufizuar të pushtetit.

Lideri turk, të cilin kritikët e akuzojnë për sundim autoritar gjithnjë e më të theksuar, por të cilin ithtarët e përkrahin për shkak të përparimit dhe stabilitetit në vend, edhe më tutje mund të ballafaqohet me vështirësi. Analitikët parashikojnë rënie të ekonomisë dhe rritje të inflacionit, transmeton Insajderi.com.

Fitorja e Erdoganit mund ta thellojë humnerën në mes të Turqisë dhe aleatëve të saj perëndimorë të cilët tashmë janë të brengosur për shkak të regresit në demokraci dhe të drejtave të njeriut, si dhe për shkak të marrëdhënieve të afërta të Turqisë me Rusinë.

Edhe pse ekzistonte frika se do të dobësohet valuta turke, përkundrazi lira u forcua pas fitores së djeshme të Erdoganit.

Në fjalimin e fitores Erdogan ka premtuar se do të punojë në atë që Turqia të bëhet në mes të 10 ekonomive më të forta botërore deri në vitin 2023, kur Republika e Turqisë e shënon 100 vjetorin.

Ai ka thënë se është edhe më i vendosur për luftë kundër kryengritësve kurd dhe ithtarëve të lëvizjes së klerikut Fetullah Gulen, të cilin po e akuzon për organizim të grusht shtetit të dështuar më 2016.

“Turqia e ka zgjedhur luftën edhe më të vendosur kundër PKK (Partia Punëtore Kurde) dhe Gylenistëve… do t’i godasim edhe më vendosmërisht organizatat terroriste”, ka thënë Erdogan.

Sipas sistemit të ri. Erdogan do t’i emërojë ministrat, nënpresidentin dhe zyrtarët  e lartë, do të shpallë dekrete, do ta përgatisë buxhetin dhe do të vendosë për masat e sigurisë.

Sipas rezultateve jozyrtare të komisionit zgjedhor, Erdogani ka fituar 52,5 për qind të votave, derisa në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura gjithashtu dje, partia e tij e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) ka fituar 42,5 për qind të votave. Kandidati kryesor opozitar Muharem Inçe ka fituar 30,7 për qind të votave.

AKP e Erdoganit nuk arriti ta fitojë shumicën parlamentare, por aleatja e saj Partia Nacionaliste kaloi më mirë se që pritej, kështu që do të ketë kontroll mbi kuvendin i cili i ka 600 deputetë.

Përndryshe Inçe sot ka pranuar humbjen, edhe pse ankohej në zgjedhjet jo të drejta./Insajderi.com.