Pas Bullgarisë, Shqipëria i jep leksion edhe Anglisë në futsall

Pas Bullgarisë, Shqipëria i jep leksion edhe Anglisë në futsall

Shqipëria e futsallës mund Anglinë dhe është një hap pranë kualifikimit në turin tjetër të Kampionatit Europian.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Erind Resuli, pas leksionit që i dhanë Bullgarisë vendase një ditë më parë, duke e mundur 7-1, kanë regjistruar sot një tjetër fitore të thellë, duke mposhtur 5-1 Anglinë, për të bërë thuajse formalitet biletën për në fazën tjetër të turneut.

Kualifikimi automatikisht mund të vijë që sot në darkë, nëse Bullgaria mund Maltën.

Golat e Karajas dhe Selmanajt në pjesën e parë të ndeshjes bënë shumë të thjeshtë administrimin e situatës për përfaqësuesen shqiptare në fraksionin e dytë të lojës. Anglia, e detyruar të nxirrte në sulm edhe me portierin për të tentuar rikuperimin e rezultatit, la shumë hapësira në prapavijë.

Ndaj Brahimi shënoi me lehtësi golin e tretë për Shqipërinë para se Ballinger të shkurtonte diferencën në 3-1. Por pasiguria zgjati vetëm pak minuta pasi fillimisht kapiteni Halimi e më pas përsëri Brahimi, realizuan dy gola në portën angleze për të vulosur rezultatin 5-1.

Mbetet për t’u luajtur edhe ndeshja me Maltën, por duke pasur parasysh se ajo është skuadra më e dobët në grup, për kuqezinjtë nuk do të ketë asnjë pengesë drejt kalimit në turin tjetër, duke llogaritur që kanë mundur në ndeshjet direkt dy rivalët kryesorë, njofton panorama-sport.

Në fazën tjetër të turneut, që zhvillohet në datat 3-12 prill 2017, fituesja e Grupit D, ku bën pjesë Shqipëria, është caktuar të luajë në Grupin 2, përkrah Azerbajxhanit, Hungarisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Ndeshjet do të luhen në Azerbajxhan.g