Pas anulimit të kontratës për Kalanë e Vushtrrisë, procesi nis nga fillimi

Pas anulimit të kontratës për Kalanë e Vushtrrisë, procesi nis nga fillimi

Pasi është anuluar kontrata për dhënien në shfrytëzim të Kalasë së Vushtrrisë, drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve Agim Gërguri, ka thënë se procesi do të nisë nga fillimi.

“Kontrata është anuluar momentalisht, do të rishqyrtohet plani se si do të menaxhohet kalaja dhe opinioni do të njoftohet me kohë” , ka thënë Gërguri.

Ndërkohë, këtë vendim e ka mirëpritur iniciativa “Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë”.

“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve më në fund i është dorëzuar presionit të qytetarëve dhe ka shkëputur njëanshëm kontratën me Mentor Salihun, dajën e kryetarit Bajram Mulaku nga radhët e PDK-së, të cilit pati vendos t’ia jap Kalanë për ta bërë restaurant. Me këtë rast, ne si grupi i iniciativës qytetare ‘Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë’, iu themi të gjithë qytetarëve, urime për fitoren tuaj”, ka thënë Leonora Aliu, përfaqësuese e kësaj iniciative.

Tutje Aliu në një konferencë është shprehur se kërkojnë që çdo veprim i Institutit, Ministrisë se Kulturës, Komunës së Vushtrrisë, e cila mbetet sipas saj bashkëfajtore për çka do që i ndodh Vushtrrisë, të jetë në harmoni të plotë me kërkesat e tyre.

Kërkesa kryesore e Iniciativës është që kalaja të jetë e hapur për shfrytëzim nga qytetarët e saj.