Partitë që nuk paguan asnjë cent për gjoba

Partitë që nuk paguan asnjë cent për gjoba

Subjektet politike nuk po shprehin sa duhet interesim për të paguar gjobat që u janë shqiptuar për raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Nga 219 mijë e 450 euro gjoba sa janë shqiptuar ndaj tyre nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, subjektet politike kanë paguar vetëm 54 mijë euro.

Kështu ka thënë për arbresh.info kryesuesi i sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku.

Subjektet politike të cilat janë gjobitur dhe nuk kanë paguar ende asnjë cent janë: Lidhja Demokratike e Kosovës me gjobë në vlerë prej 70 mijë e 750 euro, Lëvizja Vetëvendosje me gjobë prej 23 mijë e 100 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë me gjobë prej 14 mijë e 700 euro dhe disa parti të tjera të vogla e nga minoritetet.

Sipas Deskut  subjektet politike të cilat kanë paguar një pjesë të gjobës janë PDK-ja, AKR-ja, dhe KDTP-ja

Ndërkaq, subjektet politike që kanë paguar në tërësi gjobat janë Lista Serbe, PDAK dhe PLE.

Vlera e përgjithshme e gjobave siç bënë të ditur Desku është 219 mijë e 450 euro.

Sipas tij, pasi që PZAP-ja, ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike këto të fundit kanë paraqitur disa ankesa në Gjykatën Supreme por se kjo e fundit ka vërtetuar vendimet e PZAP-it.

“Për gjobat e shqiptuara nga PZAP-i ndaj subjekteve politike janë paraqitur disa ankesa ne Gjykatën Supreme , por te gjitha ankesat e parashtruara ndaj vendimeve te PZAP-it ne këtë Gjykate lidhur me gjobat e shqiptuara janë refuzuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, respektivisht janë vërtetuar vendimet e PZAP-i”, ka thënë ai.

Zgjedhjet Lokale janë mbajtur më 22 tetor, ndërsa për komunat që kanë shkuar në balotazh zgjedhjet do të mbahen më 19 nëntor.