Partitë “lëkunden” para kundërshtimeve ndërkombëtare për FSK-në

Partitë “lëkunden” para kundërshtimeve ndërkombëtare për FSK-në

Pas reagimeve nga Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, dhe të ambasadës amerikane në Kosovë, të cilët kundërshtojnë transformimin e FSK-së siç ka propozuar presidenti, partitë politike kanë hyrë në një situatë jo fort të lakmueshme.

Ndonëse në parim të gjitha partitë politike në vend, përveç Listës Serbe, e kanë përkrahur transformimin e FSK-së, këto tash kanë nevojë të mblidhen për t’u konsultuar për hapat e mëtejmë pas situatës së krijuar.

Edhe pse projektligji ka ardhur si propozim nga presidenti, ai do të jetë para deputetëve për votim shumë shpejt, siç ka paralajmëruar kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Zyrtarë të këtyre partive nuk kanë qenë në gjendje që prerazi të tregojnë se si do të veprojnë në Kuvend pas kundërshtimeve që vijnë nga NATO dhe ambasada amerikane në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë për Insajderin se nesër do të takohet Grupi dhe do të shqyrtohen rrethanat.

“Po pres të takohemi me Grupin Parlamentar dhe t’i shohim të gjitha rrethanat”, ka thënë Pajaziti.

Ai pret që ky proces të jetë në koordinim të plotë me aleatët, brenda dhe jashtë vendit.

“Personalisht shpresoj se ky proces do të jetë mirë i koordinuar me të gjithë faktorët brenda dhe jashtë vendit”, ka shtuar ai.

Partia Demokratike e Kosovës dje ka mbajtur konferencë për media, ku deputeti i saj, Agim Çeku, mes lëvdatash për nismën e presidentit, ka thënë se kjo parti do ta mbështesë këtë iniciativë.

Edhe AAK-ja pret të takohet deputetët e vet dhe më pas të nxjerrë një qëndrim rreth situatës së krijuar në vend pas nismën së presidentit dhe kundërshtimeve ndërkombëtare.

“Ne si grup parlamentar nesër do të mblidhemi dhe do ta publikojmë qëndrimin. Por unë mendoj se secila nismë që është në të mirë të Kosovës, ne do ta përkrahim”, ka thënë për Insajderin deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Por Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, gjatë ditës ka shprehur mbështetjen e këtij subjekti politik ndaj transformimit të FSK-së.

Insajderi nuk ka arritur të marrë qëndrim nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, pas reagimeve ndërkombëtare për transformimin e FSK-së.

Megjithatë, Beqiri gjatë ditës ka thënë se deputetët e LDK-së do ta përkrahin formimin e ushtrisë.

“Nëse vjen projektligji në Kuvend ne do ta përkrahim”, ka thënë Beqiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, dhe para kundërshtimeve të NATO-s dhe ambasadës amerikane në Kosovë.

Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se partia e saj në parim vazhdon ta përkrah nismën për ndryshimin e ligjit, por ka theksuar se “jemi duke e analizuar” atë ende.

“Sepse i njëjti përmban goxha probleme si p.sh vizioni, organizimi, strukturimi, armatimi etj”, ka thënë ajo.

Por, Haxhiu ka dal kundër deklaratës s Sekretarit të Përgjithshëm t NATO-s, Stoltengberg, i cili ndër t tjerash ka thn se Kosova duhet q t bisedoj edhe me Beogradin për yshtjen e ushtrisë.

“Për ne janë të papranueshme që për ketë çështje të diskutohet me Beogradin madje e kundërshtojmë fuqishëm ketë tendencë e poashtu është i papranueshëm kushtëzimi me Zajednicen dhe demarkacionin”, ka shtuar ajo.

Për deputetin e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, kjo nismë duhet të bëhet me pajtim të plotë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, por jo deri në pafundësi.

“Unë jam që me partnerët strategjik m’u korrdinu, por jo deri në pafundësi. Meqë ka tri vjet që Lista Serbe lutet të lëshojë pe, kjo nuk ndodhi, dhe mendoj që presidenti, kryeministri duhet ta bindin faktorin ndërkombëtar që transformimi i FSK-së është në interes të paqes, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, ka thënë deputeti Berisha për Insajderin.

Veprimet e njëanshme ai ka thënë se janë të papranueshëm për Nismën.

Megjithatë, ai ka thënë se Nisma do ta përkrahë këtë projektligj në Kuvend dhe do ta japë kontributin e vet./Insajderi.com