Nisma përkrah Thaçin si kryenegociator

Nisma përkrah Thaçin si kryenegociator

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismasocialdemokrate, Bilal Sherifi ka theksuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të nënshkruante marrëveshjet e arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit si akt formal.

Ai në emisionin “Debat Plus”, me gazetarin Ermal Panduri ka thënë se shefi i shtetit mund të mbetet si pjesë e bisedimeve që pritet të rinisin në mes të dyja shteteve, pavarësisht përplasjeve në të kaluarën mes Thaçit dhe Fatmir Limajt.

“Qeveritë e të dy vendeve së bashku me partnerët ndërkombëtarë duhet të arrijnë një marrëveshje. Le të bien dakord për një marrëveshje. Ne jemi të gatshëm dhe pranojmë që presidenti ta nënshkruaj marrëveshjen si akt formal. Madje le ta ruaj ekskluzivitetin e hapjes dhe mbylljes së bisedimeve”, ka shtuar Sherifi.

Ndryshe, tërheqja nga Kuvendi i Kosovës e projekt-platformës për bisedime me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sërish ka nxjerrë në pah mungesën e një konsensusi të spektrit politik lidhur me qasjen që Kosova duhet ta ketë në fazën finale të dialogut të Brukselit, ku pritet arritja e një marrëveshjeje juridikisht të obligueshme për të dy vendet, vlerësojnë deputetët e partive politike në pushtet dhe opozitë.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se projekt-platforma e Qeverisë së Kosovës për dialogun më tepër ka qenë një vullnet politik i ekzekutivit që ta shtrojë këtë çështje në Kuvendin e Kosovës, për të biseduar dhe marrë sugjerime. Por, sipas tij, marrë parasysh kundërshtimet e partive parlamentare, shumica të opozitës, projekt-platforma është tërhequr.

“Është e pamundur që të gjithë të pajtohen për të gjitha çështjet. Por, po besoj që shumica e Kuvendit, duke përshirë këtu edhe ndonjë parti opozitare, e cila është më racionale në qëndrimet politike, do të jetë e gatshme që mendimin ose sugjerimet e bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, t’i miratojë dhe t’i hapë perspektivën Kosovës”, u shpreh Haliti.

Por, Ilir Deda, deputet i subjektit politik opozitar, Alternativa, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që janë disa aspekte, të cilat platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun e kanë bërë problematike dhe të papranueshme, sidomos nga partitë opozitare.

“Dokumenti i prezantuar nuk ka qenë platformë, por ka qenë e hartuar në mënyrë të një rezolute e që në mënyrë klandestine, përmes votës së deputetëve t’i jepej mandati Hashim Thaçit, kryetarit të Kosovës, për udhëheqje të dialogut me Serbinë. Ne duhet ta dimë se mandatin nga Kuvendi e ka vetëm Qeveria e Kosovës dhe që të ndërrojë mandati për udhëheqjen e dialogut. Pastaj, kemi pasur unifikimin e opozitës kundër kësaj platforme, njëjtë duke e shprehur kundërshtimin që Thaçi ta udhëheqë dialogun me Serbinë”, theksoi Deda.