Partia Lëvizja për Bashkim, e cila kishte formuar një koalicion parazgjedhor me koalicionin PDK-AAK-NSIMA, ka njoftuar sot se do të shkëputet nga koalicioni me partitë nga krahu i luftës.
Kryetari i kësaj partie, Valon Murati ka treguar dy arsyet e vendimit të Lëvizjes për Bashkim për largimin nga PAN-i. Murati ka thënë se njëra nga arsyet është fuqizimi i Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj, raporton Insajderi.
“Nuk mund të jemi pjesë e një qeverie që do të varet nga Lista Serbe. Arsyeja tjetër që po tërhiqemi është se në zgjedhjet e ardhshme kemi në plan që të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se koalicioni PAN-AKR nuk e kanë vendosur në plan të parë interesin e qytetarëve të Kosovës.
“Nuk e kanë pasur interesin e qytetarëve të Kosovës, në parim. Prandaj ne nuk mund të sillemi me nonshalancë dhe ne kemi nevojë ende për shumë çështje kryesore në vend”, ka thënë Murati, në intervistë për RTV Dukagjinin.
Sipas Muratit, Lëvizja Vetëvendosje do duhej të krijonte qeverinë e ardhshme.
“Ka qenë mirë që në pushtet të hynte edhe Vetëvendosje. Unë kam qenë idhtar që Lëvizja Vetëvendosje të merret me përgjegjësitë e vendit, me qeverisjen në vend apo edhe me bisedimet me Serbinë”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com