PD përgënjeshtron lajmin rreth Kuvendit të Jashtëzakonshëm

Partia e Drejtësisë ka përgënjeshtruar lajmin e dhënë nga sekretari i pezulluar i kësaj partie, Fidan Mustafa, se të mërkuren do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

PD përgënjeshtron lajmin rreth Kuvendit të Jashtëzakonshëm

Përmes një komunikate të dërguar për medie, PD ka njoftuar se “ftesa e dërguar nga Sekretari i pezulluar Fidan Mustafa për Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të PD-së për 28 shtator 2016 si veprim të paautorizuar, joligjor dhe kundër-statutor”.

Sipas PD-së, sekretari i pezulluar i partisë ka për qëllim degradimin e integritetit politik të partisë, dezinformimin dhe manipulimin e anëtarsisë dhe simpatizantëve të PD-së, si dhe opinionit të gjërë publik.

“Partia e Drejtësisë apelon te të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike që me rastin e informimit përkitazi me këtë zhvillim të kenë parasysh se nuk bëhet fjalë për kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor të thirrur dhe të organizuar mbi bazën e statutit të Partisë së Drejtësisë, por për një tubim inicues të ndonjë subjekti të ri shoqëror ose politik”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com