Partia dhe biznesi janë arsyet se pse Thaçi nuk jep dorëheqje

Ka dy arsye se pse nuk mund të jetë e besueshme që Hashim Thaçi do të sakrifikohet për ushtrinë e Kosovës, duke dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit. E para: Thaçi, në prag të zgjedhjeve të mundshme sivjet, synon që ta sakrifikojë ushtrinë për interesa të veta, e jo veten për interes të ushtrisë. E dyta: Një sakrificë të tillë nuk mund ta bëjë politikani Thaçi, familja e të cilit shtriu rrënjët në biznese milionëshe, përgjatë kohës sa ai kontrollon pushtetin në Kosovë

Partia dhe biznesi janë arsyet se pse Thaçi nuk jep dorëheqje

Dy orë ferri përjetova prej kur e lexova lajmin që Presidenti ka paralajmëruar dorëheqjen, nëse nuk deputetët nuk votojnë transformimin e FSK-së në ushtri.
Lutem që kjo mos të jetë e vërtetë. Jam i “vizatuar” para RTK-së. Po e dëgjoj Presidentin duke i’u drejtuar popullit, për t’u bindur nëse është keqcituar.

Presidenti Hashim Thaçi ka mundur që t’i drejtohet popullit edhe nëpërmjet ndonjë televizioni privat, por do të prishte rregullin e shteteve gjysmë demokratike, siç jemi ne. Dhe, mirë ka bërë. Duhet ta ruajë këtë sistem për të cilin ka kontribuar qe 17 vjet. Atij i pëlqen ky sistem dhe ai nuk do të sakrifikohet për ne, për ushtrinë tonë.

Paralajmërimi për dorëheqje është më shumë një investim në karrierën e tij politike. Është i bindur se njerëzit do ta shohin si politikanin që sakrifikon postin më të lartë të shtetit për të mirën e popullit që e udhëheq. Dhe, po ashtu shpreson se ushtria do të jetë arma më e fortë e fushatës së mundshme zgjedhore, të cilat mund të mbahen këtë vit. Për këtë arsye, nuk rresht së falënderuari Kadrin Veselin, kryetarin e PDK-së gjoja për ndihmën që po jep në bërjen e ushtrisë.

Në fakt, prej se Thaçi bëri publike iniciativën për transformimin e FSK-së, Veseli nuk ka kontribuar asgjë më shumë se sa Isa Mustafa e Haki Demolli të LDK-së. Thjeshtë, secili prej tyre kanë proceduar, bazuar në përgjegjësitë zyrtare. Të njëjtën, e ka bërë edhe Thaçi. Inicimi i bërjes së ushtrisë nga Presidenti nuk përbën kurrfarë akti heroik. Është kërkesë bazike për një shtet.

Por, Thaçi më shumë se për ta bërë ushtrinë, është i interesuar për ta përdorur ushtrinë, për të mirën e PDK-së, të cilën e ka udhëhequr me vite të tëra.

Përveç inicimit të bërjes së ushtrisë, duke se Thaçi është i bindur se mund të ndihmojë ish-partiakët e tij edhe me paralajmërimin për dorëheqje nga posti i Presidentit, nëse nuk miratohet transformimi i FSK-së.

Por, çfarë do të bëjë Thaçi nëse deputetet hezitojnë ta votojnë bërjen e ushtrisë? Me gjasë, ai e ka menduar edhe hapin pasues. Edhe nëse deputetët nuk e miratojnë projektligjin për transformimin e FSK-së, pas kundërshtimit të NATO-s dhe SHBA-së, Thaçi do të jetë sërish në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Siç jemi mësuar ta shohim, Thaçi mund të gjarpërojë deri në fund të mandatit duke ri-përsëritur nëpërmjet televizionit publik deklaratën e tij të famshme.
‘Ushtria do të bëhet së shpejti‘, do ta thotë me qindra herë duke tentuar të na bind se do të jepte dorëheqje nëse kjo nuk do të ndodhte.

Ai do ta bëjë këtë dhe ju mbetet qytetarëve të vendosin, nëse do ta besojnë apo jo. Por, nëse ndodh e kundërta e tërë kësaj-dorëheqja e Presidentit- edhe pse për mua është pak e besueshme, atëherë shtrohet pyetja se kënd do ta lë keq ikja e Hashim Thaçit?

Më së shumti veten dhe familjarët e tij. Zonja e Parë e Shtetit, Lumnije Thaçi, në shkurt të këtij viti është rekomanduar për postin e profesorit të asociuar në universitetin publik “Isa Boletini”, në Mitrovicë. Normalisht, rekomandimi i komisionit vlerësues do të pranohet nga drejtuesit e këtij universiteti.
Por, nëse Thaçi vendos të jetë një ish-president, siç ngjan zakonisht në Kosovë me ish-pushtetarët- mund të ndodh që drejtuesit e universitetit të ndryshojnë mendje. Ndoshta Zonja e Parë edhe i plotëson kriteret për këtë pozitë, por plotësimi i tyre shpeshherë nuk përbën argument për punësim për drejtuesit e universiteteve kosovare.

Përveç bashkëshortes, të lënë anash do të ishin edhe vëllezërit e tij. Pas ndërtimit të kompleksit milionësh banesor në Breg të Diellit, vëllai i vogël-Blerimi, ka nisur të ndërtojë një të ngjashëm në lagjen Aktash, të Prishtinës.
Do të ishte jo krenare që kur të inaugurohet ndërtimi i këtij objekti, Blerimi të ishte thjeshtë vëlla i një ish-pushtetari.
Ngjashëm do të ishte edhe për vëllanë tjetër, Idrizin. Biznesi i tij, Geo Mineral, ndoshta nuk do të mund të synonte të ishte nënkontraktor në ndërtime autostradash i konzorciumit Bechtel-Enka.
Probleme të ngjashme do t’i ndodhnin edhe vëllait të madh, Ganiut. Ndoshta dikush do të merrte vendim që t’ia zvogëlojë pagën e lartë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Duke pasur parasysh këto rrethana, Presidenti është mirë të reflektojë dhe të mos e le keq familjen, duke u ‘sakrifikuar’ për interes të popullit.
Dorëheqja e tij do të ndikonte vetëm në të dhe familjen e tij. Por, besoj që Thaçi nuk e ka në plan për tu vetëdëmtuar. Ai do të vazhdojë të jetë President dhe do ta sakrifikojë ushtrinë për interesa të veta, e jo veten për interes të ushtrisë.