Parqet nënujore në këmbim të lehtësimit të borxhit shtetëror

Parqet nënujore në këmbim të lehtësimit të borxhit shtetëror

Ishulli tropikal i Seychelles pritet të krijojë dy parqe të reja gjigante nënujore, në këmbim të lehtësimit të një sasie të konsiderueshme të borxhit kombëtar, në atë që konsiderohet si skema e parë e këtij lloji në botë.

Ky model inovacioni financiar pritet të këmbejë kështu borxhin e lartë për më shumë delfinë dhe jetë nënujore, me synimin për të hedhur një “litar shpëtimi” për jetën koralore dhe breshkat e ujit, që kanë rënë prè e një “stuhie” mbipeshkimi apo edhe ndryshimeve klimatike.

Nëse plani do të funksionojë, ai do të sigurojë gjithashtu edhe të ardhmen ekonomike të kombit-ishull, që varet tërësisht nga turizmi dhe peshkimi. E duke parë gatishmërinë edhe të shteteve të tjera buzë oqeanit për të ndjekur këtë lloj linje, qasja e re inovative mund të transformojë pjesë të mëdha të deteve të trazuara të planetit.

Mbipeshkimi dhe vrasja e delfinëve, peshkaqenëve e breshkave, si dhe rënia e peshqve “të padëshiruar” në rrjetat e peshkatarëve duket se kanë shënuar shifra rekord në territorin oqeanik të Seychelles. Plani i ri do të ndalojë peshkimin rreth pikave më të nxehta të biodiversitetit, duke i ruajtur ato të shëndetshme, në mënyrë që t’u rezistojnë më mirë ndryshimeve klimatike.

Kryeqendra e biodiversitetit në Seychelles është arkipelagu Aldabra, që rivalizon edhe ishujt Galapagos për nga rëndësia ekologjike.

Delfinët “flutur”, oktapodët, grumbujt e balenave dhe lloje të ndryshme peshkaqenësh ndajnë ujërat me breshka të përmasave e llojeve të ndryshme, zogjtë detarë nga disa prej kolonive më të mëdha të botës. Lopët e detit janë speciet më të rrezikuara në oqeanin Indian dhe strehohen pikërisht këtu, ndërkohë që 100 mijë breshka gjigante të rralla bredhin ngadalë në tokë.

Zona e re e mbrojtur përreth Aldabrës është 74 mijë kilometra katrorë, thuajse sa përmasat e Skocisë, e ndalon pjesën më të madhe të aktiviteteve nxjerrëse, nga peshkimi deri te shfrytëzimi i naftës. Zona e dytë e mbrojtur është 134 km katrorë, me qendër ishullin kryesor të Seychelles, Mahe. Edhe në këtë zonë aktivitetet janë të kontrolluara.