Paralelisht me krizën energjetike, brenda ditësh ndërpritet qarkullimi hekurudhor

Paralelisht me krizën energjetike, brenda ditësh ndërpritet qarkullimi hekurudhor

Krahas problemit me energjinë, një telash tjetër pritet që të enjten e 3 gushtit t`i godasë hekurudhat e Kosovës.

Drejtues të Trainkosit paralajmërojnë se në këtë datë do të ndërpritet qarkullimi hekurudhor në vend për shkak të kolapsit financiar.

TrainKosi është në kolaps, qeveria nuk i ka ndarë ende mjete financiare, ndërmarrjes që operon vazhdimisht me humbje edhe pse në tërë vendin operojnë vetëm dy linja, ajo  Fushë Kosovë – Han i Elezit dhe Prishtinë – Pejë.

Si pasojë, mbi 110 mijë udhëtarë të evidentuar në gjashtë mujorin e parë të këtij viti që shfrytëzojnë këto linja, rrezikojnë të mbesin pa transport.

Në Trainkosi thonë se kjo po ndodh për shkak të mungesës buxhetore, e që për ta është e papërballueshme t`i mbulojnë vetë shpenzimet.

Pas këtij paralajmërimi për ndalje të qarkullimit të trenave, edhe në  Infrakos u bëjnë thirrje institucioneve të gjejnë  zgjidhje të shpejtë sepse rrezikohen 60% të të hyrave. Ata thonë se ky është gjithashtu edhe lajm shumë i keq edhe për investitorët  e huaj, njofton RTK.

RTK ka provuar të marr përgjigje edhe nga Ministria e Infrastrukturës por ministri, Lutfi Zharku nëpërmjet postës elektronike tha se ndërmarrjet publike menaxhohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kurse këta të fundit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje lidhur me paralajmërimin e ndërprerjes së dy linjave të trenit në mungesë të buxhetit.