Në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane The Wall Street Journal, Gerald F. Seib, ka bërë një përmbledhje të mirëstudiuar, dhe një renditje të atyre që" />

Paradokset e Hillary Clinton

Paradokset e Hillary Clinton

Në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane The Wall Street Journal, Gerald F. Seib, ka bërë një përmbledhje të mirëstudiuar, dhe një renditje të atyre që ai i quan paradokset e kandidates së Partisë Demokratike për Presidente, Hillary Rodham Clinton.

“Hillary Clintoni është kandidatja presidenciale më e kualifikuar, me përvojë të madhe në politikën e brendshme dhe të jashtme, një centriste që është në gjendje të thyejë bllokadat politike, për shkak se ka shërbyer edhe në ekzekutiv, por edhe në të dy anët e legjislativit”, shkruan Seib në WSJ. Por Hillary Clintonin mund ta shohim edhe në një tjetër dritë. Sipas tij, “ajo është kandidatja më e keqe e mundshme për zgjedhjet e këtij viti, është vetë mishërimi i establishmentit politik që shumë votues e urrejnë, një politikane e brendshme, e “rrëshkitshme” dhe e fshehtë, pikërisht në një vit kur njerëzit duan më shumë origjinalitet dhe të vërteta.

Në fakt, Hillary Clintoni është një studim i paradokseve.

Ajo është një prej njerëzve më të famshëm të Amerikës, aq sa në një sondazh të kohëve të fundit të kryer nga Wall Street Journal dhe NBC News, as edhe një person i vetëm nuk tha se nuk e njihte mjaftueshëm për të patur mendim. Vetëm 10% thanë se kishin ndjenja neutrale. Pothuajse të gjithë të pyeturit e kishin një mendim për Clintonin. Ku është paradoksi? “Në anën tjetër, për një figurë kaq të mirënjohur, Hilalry Clintoni është në shumë drejtime një enigmë. Një herë e një kohë shihej si liberalja tipike e epokës së Vietnamit, si prej atyre që e urrenin këtë ide, ashtu edhe prej atyre që e pëlqenin”, shkruan Seib. Por pastaj në vitet nëntëdhjetë, shumë konservatorë druheshin se ajo do e shtynte të shoqin shumë majtas. Po sot? Sot të gjithë e akuzojnë si shumë centriste, si njeri i gjysmë-masave, dhe jo zbatuesja pa kushte e ideve të forta progresiste. 

Clintonin e përçmojnë shumë republikanë, por prapëseprapë atë e vlerësojnë lartë disa prej republikanëve që kanë punuar me të në Senat.

Ajo ka eksperiencë më të dhimbshme se kushdo – veç të shoqit natyrisht – për të mësuar se zakonisht është e kotë të përpiqesh të mbash dokumenta e regjistrime larg duarve të prokurorëve. E prapëseprapë, shkoi dhe ndërtoi një sistem privat emailesh…

“Hillary Clintoni ka shumë avantazhe”, përfundon artikulli i Wall Street Journal. “Këtu përfshihet edhe fakti që ka treguar se është një debatuese e zonja. Për tre përballjet e ardhshme me Trumpin kjo është një zotësi shumë e rëndësishme. Por Hillary ndesh edhe në shumë pengesa, mes tyre edhe paradoksin e fundit: Në një tjetër vit, ajo do të ishte duke “lundruar” e qetë drejt fitores, përballë një kandidati si Donald Trumpi. Por 2016-a nuk është aspak “një tjetër vit”. Në 2016-ën, çdo gjë është e mundur. /www.bota.al