Paraburgim dy personave që u kapen në Turqi në tentim për të kaluar në Siri

Paraburgim dy personave që u kapen në Turqi në tentim për të kaluar në Siri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës mbi caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A. D. dhe K. B.  në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar se dy të pandehurit me qëllim që t’i bashkohen konfliktit të armatosur dhe inkuadrimit në kuadër të grupeve terroriste në Siri dhe Irak, me dt. 25.07.2017, janë larguar nga Kosova ku kanë kaluar pikëkalimin kufitar në Hanin e Elezit dhe me dt. 26.07.2017 kanë mbërritur në Aeroportin Ataturk të Stambollit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Me dt.28.07.2017 forcat e sigurisë Turke gjatë monitorimit të zonës kufitare me Sirinë kanë ndaluar të pandehurit A. D. dhe K. B. të cilët në rrugë ilegale kanë tentuar të hynë në territorin e Sirisë”, vazhdon njoftimi.

“Me këto veprime dyshohet se të pandehurit A. D. dhe K. B. kanë kryer veprën penale nga neni 3 par. 3 të Ligjit 5/L-002 për Ndalimin e Bashkimit në Konfliktet e Armatosura Jashtë Territorit të vendit në Tentativë lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacionet e jashtme para ushtarake ose  para policorë në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej aty./Insajderi.com