Paraardhësit nuk e urojnë Hashim Thaçin

Paraardhësit nuk e urojnë Hashim Thaçin

Dy paraardhës të Hashim Thaçit nuk e kanë uruar atë për zgjedhjen e djeshme në krye të Shtetit.

Fatmir Sejdiu nuk ka thënë asnjë fjalë, e Behgjet Pacolli ka folur për nevojën që presidenti të zgjidhet direkt nga populli.

Sejdiu e Pacolli ishin larguar para kohe nga pozita të cilën e ka marrë dje Thaçi.

Pos që nuk e kanë përshëndetur ardhjen e Thaçit në krye të shtetit, ata nuk kanë marrë pjesë në seancën e zgjidhjes së tij. Të dy ishin të ftuar në seancë.

“Presidenti Sejdiu sonte do të jetë i ftuar në emisionin Jeta në Kosove i cili fillon pas orës 20 e 20”, shkruan në postimin e fundit të publikuar në faqen e Sejdiut në Facebook.

E, Pacolli ka shprehur keqardhje për gjendjen në Kosovë. Asnjë fjalë nuk ka thënë për ish-partnerin e koalicionit që e kishte bërë president dhe zëvendëskryeministër.

“Sot jam më i bindur se kurrë se ideja e zgjedhjes së Presidentit nga populli, ashtu siç e kishte kërkuar udhëheqësi ynë Rugova, dhe ashtu siç unë pandërprerë insistova, do të na shmangte gjithë këto turpe që ndodhën. Presidenti i zgjedhur do të ishte legjitim dhe askush nuk do të kishte asnjë pretendim. Do t’i bënte më shumë nder institucionit dhe vet Presidentit”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se të gjithë ata që e bllokuan këtë iniciativë duhet të kërkojnë falje, përfshirë opozitën që nuk e mbështeti idenë që presidenti të zgjidhet nga populli.

“Vendit sot i mungojnë ekuilibrat politikë, institucionalë, shoqërorë. Zgjedhja Presidentit nga populli do të ishte rruga e duhur për të rivendosur të gjithë ata ekuilibra”.

Zgjedhjen e Thacit e ka përshëndetur presidentja në detyrë, Atifete Jahjaga. Ajo i ka ofruar mbështetje pasardhësit të saj.

“Presidentja e Republikës së Kosoves, znj. Atifete Jahjaga i ka uruar z. Hashim Thaçi zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Presidentja Jahjaga i ofroi z. Thaçi bashkëpunimin e plotë për një tranzicion të suksesshëm mes dy presidentëve, në përputhje me Kushtetutën dhe normat demokratike të cilat do të forcojnë institucionet demokratike të Kosovës dhe do të kontribuojnë në konsolidimin demokratik të vendit”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Jahjagës./Insajderi.com