Paqartësi të mëdha për seancën e nesërme

Paqartësi të mëdha për seancën e nesërme

Zgjidhja e sagës së formimit të institucioneve të Kosovës, duket se është në dorën e deputetëve të partisë së Behgjet Pacollit.

Telegrafi merr vesh se mbrëmë në takimin e kryesisë dhe degët e AKR-së, ka pasur mospajtime rreth asaj se a duhet të votohet Veseli për pozitën e të parit të Kuvendit.

Sipas këtyre burimeve, shefi i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se vendi është zhytur në krizë të thellë ekonomike dhe duhet që sa më parë të krijohet një shtegdaljeje nga kjo gjendje.

Por, në mesin e kundërshtarëve më të ashpër për votimin e Veselit, brenda AKR-së, janë nënkryetarët Korab Sejdiu dhe Agim Bahtiri, të cilët janë kategorikisht kundër kësaj ideje.

“Në mbledhjen e mbrëmshme nuk është marrë asnjë vendim se si do të veprohet. Nuk ka vendim për ta mbështetur PAN-in”, ka theksuar ky burim.

Por, pas takimit të mbrëmshëm, edhe sot në mëngjes ka ndodhur edhe një takim i Kryesisë së AKR-së, ku nuk ka disponim që votohet Veseli si kandidat për kryetar të Kuvendit.

Sipas këtij burimi, një element tjetër që ka bërë që AKR-ja ta rimendojë shumë pozicionimin e saj, ka qenë edhe reagimet e opinionit publik, për atë se si do të veprojë kjo parti në kohën e themelimit të institucioneve.

Ndryshe, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, njëherësh nënkryetar i AKR-së ka bërë të ditur se AKR–ja mbrëmë ka vendosur që të mos bëjë koalicion me PAN-in.