Papërgjegjësia ndaj institucionit më të rëndësishëm të shtetit

Papërgjegjësia ndaj institucionit më të rëndësishëm të shtetit

Dy interpelancat e dështuara brenda një ditë këtë javë pasqyrojnë mungesën e seriozitetit të zyrtarëve të lartë për të përmbushur obligimet kushtetuese si dhe nivelin e ulët të përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

Legjislativi aktual i Kuvendit të Kosovës, që ka arritur afër vitit të fundit të mandatit, është përballur me situata të vështira që nuk janë hasur në të kaluarën.

Sikur të mos mjaftonin protesta që eskalonin në dhunë brenda këtij institucioni si dhe dështimi për të votuar çështje madhore për vendin, Kuvendi i Kosovës jo rrallë është injoruar nga zyrtarët qeveritarë si dhe nga vetë deputetët.

Vetëm të mërkurën, dy interpelanca ndaj zyrtarëve qeveritarë kanë dështuar për shkak të mungesave të zyrtarëve të përfshirë në këtë proces.

Një interpelancë ndaj kryeministrit Isa Mustafa e thirrur nga deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi, dështoi për shkak të mungesës së thirrëses së interpelancës, e cila kishte shkuar për një vizitë zyrtare jashtë vendit.

Në të njëjtën ditë, edhe interpelanca ndaj Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dështoi për shkak të mungesës së ministrit.

Po në këtë muaj, më 11 prill, kishte dështuar një seancë e Kuvendit, që në fakt ishte thirrur për të votuar disa pika të mbetura nga seanca plenare të mbajtura më 30 e 31 mars. Deputetët kishin dalë në pushim dreke, por kur janë kthyer seanca ka dështuar sepse nuk ka pasur kuorum për të votuar një numër pikash.

Një ditë pas kësaj seance, Komisioni për Legjislacion kishte mbajtur një dëgjim publik për projektligjin për parandalimin e konflikt të interesit, ku e ftuar ka qenë edhe Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Por, Ministrja kishte munguar ndërsa Albulena Haxhiu, deputete e VV-së që kryeson këtë komision kishte kritikuar atë për mosprezencë.

Numër shqetësues i mungesave të deputetëve në komisione

Instituti Demokratik i Kosovës ka dhënë shifra alarmante të mungesave të deputetëve në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Sipas KDI-së, gjatë vitit 2016, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë munguar gjithsej 1207 herë.

Komisioni me më së shumti mungesa është ai i zhvillimit ekonomik me gjithsej 183 mungesa, ndërsa pasojnë Komisioni për Komunitete me 147 mungesa, Komisioni për Arsim me 130 mungesa e të tjera.

Albert Krasniqi nga kjo organizatë, ka thënë se duhet avancuar rregullorja e punës dhe të vihen sanksione ndaj deputetëve që mungojnë.

“Konsideroj që Kuvendi duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe ta avancojë rregulloren e punës duke aplikuar masa ndëshkuese për deputetët të cilët nuk i përfillin rregullat,” ka thënë ai.

“Një model i cili mund të merret është ai i Gjeorgjisë, ku mund të aplikohet një lloj sanksioni: 10 për qind e pagës së çdo deputeti për çdo mungesë pa arsye”, ka thënë ai në një prononcim për Tribuna Channel ditë më parë.

Mediat kanë raportuar se ka deputetë të cilët kanë nënshkruar pjesëmarrjen e tyre në seanca parlamentare vetëm sa për të marrë meditimet, por janë larguar pas pakë kohe.

Injorimi disa muajsh i Listës Serbe ndaj Kuvendit

Partitë e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, së bashku me partnerin e saj, Lisa Serbe, kanë një shumicë të fortë brenda Kuvendit. Por, me gjithëkëtë, tash e dy vite këto parti nuk kanë arritur që të miratojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Për miratimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare duhen dy të tretat e votave të deputetëve, por për shkak të kundërshtimit të ashpër të partive opozitare si dhe qëndrimit kundër të disa prej deputetëve qeverisës, kjo marrëveshje ka mbetur e pa ratifikuar.

Ky dështim nënkupton që Kosova nuk mundet të fitojë liberalizmin e vizave, ashtu siç thuhet se është premtuar nga BE, e cila e ka vënë demarkacionin si kushtin kryesor në këtë proces.

Qeveria e Kosovës e cila kishte dërguar këtë ligj në Kuvend para disa muajsh, ishte detyruar të tërhiqte atë nga rendi i ditës.

Ishte thënë se një nga arsyet ka qenë mungesa e deputetëve të Listës Serbe.

Partia më e madhe serbe në Kosovë në fakt ka bojkotuar institucionet e Kosovës dhe Kuvendin për disa muaj për t’u rikthyer sërish. Bojkotimin e kishin bërë në shenjë proteste ndaj Qeverisë së Kosovës.

Me rikthimin në institucione, Qeveria e Kosovës ka rritur shpresat për ratifikimin e demarkacionit dhe ka paralajmëruar që së shpejti do ta ridërgojë në Kuvend, edhe pse nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar.

Dhuna bën Kuvendin lajm në mediet ndërkombëtare

Në disa seanca radhazi, Kuvendi i Kosovës kishte bërë bujë në media të ndryshme ndërkombëtare për shkak të protestës së partive opozitare. Lëvizja Vetëvendosje, AAK e Nisma, në një numër rastesh kanë hedhur gaz lotsjellës brenda sallës  ku mbahen seancat e Kuvendit, gjë që nxiste reagimin e forcave të sigurisë për të larguar me dhunë deputetët nga salla.

Në shumë raste, deputetët opozitare u suspenduan nga pjesëmarrja në seanca.

Gazi lotsjellës ka bërë të pamundur që Qeveria e Kosovës të sillte për votim marrëveshjen e demarkacionit dhe ishte detyruar që në disa raste të mbajë seancat në salla alternative.

Pamjet e dhunës dhe gazit lotsjellës janë raportuar në një numër mediet prestigjioze botërore.

Analistë të ndryshëm politikë vlerësojnë se një gjë e tillë ka ndikuar në përkeqësimin e imazhit edhe ashtu të lënduar të Kosovës para botës./Insajderi.com