Papërgjegjësia e ministrave të PDK-së

Ndonëse rrëzimi i Qeverisë u bë më 10 maj të këtij viti, ministrat e ekzekutivit janë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.

Seanca e fundit e legjislativit shkoi me plot kritika ndërmjet partnerëve të koalicionit PDK-LDK, duke e fajësuar njëri-tjetrin për mungesë lidershipi dhe vizioni qeverisës.

Para se të shkarkohej qeveria, kryeministri Mustafa pati probleme me papërgjegjësinë e ministrave të tij që vinin nga partneri i koalicionit, PDK.

Në mbledhjen e Qeverisë që ishte mbajtur më 10 maj, në ditën që u rrëzua qeveria, ministrat nga kjo parti nuk ishin të pranishëm në mbledhje, e cila po mbahej një orë para se të niste seanca e Kuvendit, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës ishte mocioni i opozitës për rrëzimin e qeverisë.

Mungesa e këtyre ministrave bëri që ajo mbledhje e qeverisë të dështojë.

Të njëjtën gjë këta ministra e kanë bërë edhe sot, kur qeveria ishte mbledhë për herë të fundit para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryeministri dhe ministrat që vijnë nga LDK-ja ishin sot të pranishëm në mbledhje. Por mungonin ata të PDK-së.

Edhe pse ata paguhen, nuk po tregohen se janë në nivel të detyrës.

Një pjesë e tyre janë kandidatë për deputetë nga PDK-ja dhe pjesë e fushatës për zgjedhjet që do të mbahen më 11 qershor.

Megjithatë, edhe nga radhët e LDK-së ka ministra që janë në listë për deputetë.

Për më tepër, më 10 maj të muajit që shkoi, deputetët e PDK-së mundësuan që të kalojë mocioni i opozitës për rrëzimin e qeverisë, duke bërë kështu që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pas kësaj, PDK-ja formoi koalicion me dy parti opozitare – AAK-në dhe Nismën për Kosovën, duke iu bërë rival partnerit të deriatëhershëm, LDK-së. Kjo e fundit mori afër vetes partinë e Behgjet Pacollit (AKR) dhe partinë e re të Mimoza Kusari-Lilës dhe Ilir Dedës (Alternativa), por edhe Lëvizjen për Drejtësi – fraksion i ndarë nga Partia e Drejtësisë së Ferid Aganit, i cili është në koalicion me PDK-në.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen këtë të diel (11 qershor)./Insajderi.com