“Panucci i ka kartat e kreditit plot, nuk më ka pëlqyer ndonjëherë si lojtar”

“Panucci i ka kartat e kreditit plot, nuk më ka pëlqyer ndonjëherë si lojtar”

Suksesi i Kombëtares Shqiptare, kundër Turqisë, duket se i ka kënaqur të gjithë. Edhe trajneri i Partizanit, Sulejman Starova ka shprehur simpatinë e tij, për lojën e kuqezinjëve, si dhe për trajnerin Panucci.

Në një intervistë për “Top Channel”, Starova tha se Panuçi nuk i ka pëlqyer ndonjë herë si lojtar, pasi “Bobi” bënte tifo për Juventusin, ndërsa Panuçi luante për skuadra të tjera.

“Ajo që dua të them unë është se më është shtuar simpatia për Panuçin.

Atë nuk e kam parë si lojtar, sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë si futbollist, por kjo ndoshta sepse unë kam qenë tifoz me Juventusin, ndërsa ai ka luajtur për skuadra të tjera.

Përtej shakasë, unë vazhdoj të rris konsideratën për të, sepse është nga të vetmit trajnerë që kam parë këto 20 vitet e fundit, mes të huajve që kanë ardhur këtu te ne, që pa e deklaruar se do të luajë në sulm, po jep përshtypjen se nuk është një trajner frikacak.

Nuk dua të përmend emra të tjerë, por kur Shqipërisë i është dashur të fitojë një ndeshje, trajnerët e tjerë duket se fshiheshin pas pikës duke i ndërtuar formacionet ndryshe. Panuçit i dallohet ambicia për të bërë më të mirën, ndaj vazhdoj ta theksoj se ne jemi komb i 10 milionë banorëve e jo më i 3 milionëve.

Po e shikoni që nga dita në ditë, kandidaturat për Kombëtaren po shtohen. Sa i përket kritikave pse nuk ka grumbulluar filanin apo fistekun, siç u kam thënë edhe kolegëve të mi, mendoj se duhet lënë Panuçi të bëjë të vetën.

Ai e ka treguar se po i përzgjedh në mënyrë fantastike lojtarët, e ka treguar se di t’i vendosë shumë
mirë lojtarët në fushë.

Nuk është fituar kot ndeshja në Antalia, por unë kujtoj edhe përballjen e famshme nën drejtimin e Astrit Hafizit 4-2, po në Antalia, ndaj Turqisë së famshme të Hakan Sukurit. Në këto kushte, për të kapërcyer objektivat, që për ne janë vajtja në Europianë apo Botërorë e kush nuk i realizon këto duhet të largohet, nuk duhet të kënaqemi tashmë vetëm me lojën e mirë. Panuçi ka ardhur për të fituar dhe rruga e fitores është pikërisht kjo që po bën. Ndaj duhet ta mbështesin edhe lojtarët. Pjesa e parë e djeshme ishte fantastike, ndaj të gjithë u vlerësuan me nota pozitive, edhe Memushaj që meritonte dy minuse për atë që bëri, gjë që do të ishte katastrofë po të ishte ndeshje zyrtare.

Berisha luajti shkëlqyeshëm, e derisa ne arritëm të gjenim rrugën e golit, Shqipëria po luante me
zotërim topi, po priste vertikalizimin, edhe pse nuk e realizoi sepse Turqia po luante tepër i kujdesshëm, portieri bëri mrekullinë duke mos lejuar të hynte goli i kundërshtarit. Në fushë ishte edhe një super Roshi, i cili driblonte si të ishte Ibrahimoviç duke mbajtur kokën lart, ndërsa Sadiku ishte në hije.

Kështu është loja e tij, ai është sulmues ‘pykë’ dhe duhet që të luajë gjithë skuadra për të. Në momentin që u luajt për të, në dy raste të shënosh dy gola është maksimumi i një lojtari të madh. Ndaj në fund të pjesës së parë e meriton edhe ai një vlerësim super.

Grezda jo, ai ishte vlerësuar pozitivisht, iu dallua autoriteti, por shpërthimin e pati në pjesën e dytë, kur nuk pushonte së vrapuari, e më pas shënoi edhe golin e tretë.

Merita shkon edhe për trajnerin që vuri dorë. Kështu dua të vërtetoj se kam besim tek ai si përzgjedhës, për mënyrën si po e vendos skuadrën dhe për synimet e tij për një lojë sulmuese”, shprehet Sulejman Starova për “Top Channel”.

Starova foli dhe për diferencat mes De Biasit dhe Panuçit, teksa tha për këtë të fundit që i ka kartat e kreditit plot dhe se nuk sheh interesin monetar.

“Nuk desha t’ia përmendja emrin, por meqë e përmendët ju, njerëzit duhet t’i rikthehen kujtesës.
Populli nuk e bën dot këtë, ndërsa specialistët po.

De Biasi ka ardhur dhe ka luajtur rreth dy vite pa asnjë objektiv, edhe për mungesë nga ana e Federatës shqiptare që ishte në kulmin e luksit, dhe në harkun e 6-7 ndeshjeve në vit, në 3 ndeshje gjithmonë gabonte.

Po ju kujtoj një herë kur ia bëri formacionin e gjithë Shqipëria. Luajtëm të mërkurën dhe të enjten dhe të enjten doli që e gjithë Shqipëria mendonte ndryshe nga ai dhe De Biasi u detyrua që ditën e shtunë të luante sipas ‘shqiptarëve’.

Në atë rast ai fshihej pas pikës, kishte hallin e vet së pari. Ndërsa Panuçi nuk pyet për hallet e veta, sepse kartat e kreditit i ka plot, ndaj nuk e ka mendjen te paratë, por te rezultati”, deklaroi ndër të tjera Starova.