PAN e pranon se nuk e ka shumicën para 24 gushtit

17.08.2017 08:11
PAN e pranon se nuk e ka shumicën para 24 gushtit

Bilall Sherifi është përpjekur të tregohet i sinqertë të mërkurën, në një takim konsultativ në Kuvend, ku përfaqësuesit e koalicionit PAN të cilit ai i takon, edhe zyrtarisht kanë kumtuar se nuk i përmbahen zotimit të javës së shkuar për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës themeltare, që mund të thirrej për të enjten ose të premten e kësaj jave.

Në takim është vendosur që, konform propozimit të ri të PAN-it, vazhdimi i seancës të mbahet të enjten një javë, shkruan sot Koha Ditore.

Deputeti Sherifi bëri përpjekje të arsyetojë para kryesuesit të seancës, Adem Mikullovci, e edhe para përfaqësuesve të subjekteve politike të përfaqësuara në legjislaturën e gjashtë, se pishmanllëku po bëhet nga zori.

“Pse seanca më 24 gusht dhe jo të enjten ose të premten? Ne jemi gati më 24 gusht. Është shumë e thjeshtë!”, ka shtruar pyetjen ai, dhe vetë është përgjigjur. “A e dini çka nënkupton zhagitje e institucioneve?

Kur një koalicion i ka numrat dhe me qëllim nuk thërret seancë. Kur një koalicion është gati, i ka fituar 61 deputetë, por nuk thërret seancë. Kjo është zhagitje. Kjo e jona nuk është zhagitje. Kjo e jona është nevojë, domosdoshmëri për kohë më shumë për të krijuar shumicën e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, sepse ju keni ngulur këmbë që të mos bëheni pjesë formale e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, që është në të drejtën e juaj”, ka shtuar ai.