Palestina “shtet në luftë” shënon sukses para Kosovës shtet i sigurtë

Palestina “shtet në luftë” shënon sukses para Kosovës shtet i sigurtë

Kosova ka hequr dorë në momentet e fundit për anëtarësimin e Kosovës në njërën nga organizatat më të mëdha të sigurisë në botë atë të Interpolit. Por dy vendet e tjera që kishin misionin e njëjtë si të Kosovës, arritën të anëtarësohen gjashtë ditë pas dorëheqjes së vendit tonë.

Palestina e cila është në gjendje lufte ku situata nuk është aspak e sigurt që nga sot është anëtare e kësaj organizate. Konflikti mes Izraelit dhe Palestinës është i kamotshëm. Palestinezët pretendojnë se Izraeli i ka marrë një territor të shenjtë, ku vazhdimisht ka konflikte në atë vend.

“Shteti i Palestinës dhe Ishujt Solomon janë tani anëtare të INTERPOL-it”, thuhej në njoftimin zyrtare në twitter të Interpolit për anëtarësimin e dy vendeve të reja në këtë organizatë.

Kosova kishte planifikuar që të aplikoj për anëtarësim  në këtë organizatë por kryeministri i ri i vendit, Ramush Haradinaj e shtyu për herën tjetër.

Arsyetimi i Haradinajt ishte se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit. Republika e Kosovës është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit. Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë”, thuhej në njoftimin e qeverisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, në paralajmërimin e tij për dorëheqje nga kandidatura e anëtarësimit në Interpol fajësonte ish-qeverinë, por edhe vendin nikoqir ku do të mbahej samiti.

“Në momentin kur kam ardhur kam pa se është punuar, por jo sa duhet. Unë jam shumë skeptik dhe nuk jam fare i inkurajuar që ne të themi se çdo gjë do të shkojë si duhet në këtë anëtarësim, sepse nikoqiri i këtij samiti ka barikaduar çdo gjë”.

“Akoma s’i ka dërguar vizat që përfaqësuesit tanë të marrin pjesë. Është përgjegjësi e madhe që të them të tërhiqemi”, thoshte Pacolli në paralajmërimin e tij.

Vetëm një ditë pas shtyrjes së anëtarësimit, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, fajësonte Haradinajn se nuk ka bërë kalkulimet mirë për shtyrjen e aplikimit në Interpol.

“Në emër të LDK-së por edhe në emrin tim si ish ministër të shfaq një shqetësim të skajshëm. Haradinaj me gjasë i ka dërguar letër sekretarit të Interpolit apo Sekretariatit të Përgjithshëm me kërkesën që të tërhiqet aplikimi ose të shtyhet votimi për këtë aplikacion që unë do ta quaja të paqëndrueshëm, tej mase hipotetike dhe të pa kalkuluar si duhet”, tha Hyseni para gazetarëve.