Pal Lekaj në gjyq për 630 mijë euro

Pal Lekaj në gjyq për 630 mijë euro

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj duhet të lë punën për tu përgjigjur për 630 mijë euro për të cilat akuzohet se i ka keqpërdorur nga buxheti i komunës së Gjakovës sa ishte kryetar i saj.

Lekaj është thirr që të paraqitet në gjykim më 31 maj në Gjykatën Themelore të Gjakovës, për të dhënë llogari fiks për 631, 671.82 euro, shumë kjo që dyshohet se i ka keqpërdorur gjatë viteve 2008 – 2014, sa ishte në krye të Komunës, shkruan Insajderi.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, të komunës së Gjakovës, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Këto subvencione dyshohet se ishin autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarje në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këtë aktakuzë Lekaj kishte thënë se punën e tij në krye të Komunës së Gjakovës, e ka kryer sipas ligjit, duke shtuar se pavarësisht të gjithave do të bashkëpunojë me sistemin e drejtësisë në vend.

“Po lexoj në media që organet e drejtësisë paskan ngritur një aktakuzë për një çështje të para 10 viteve. Krejt çka mund të them tani për tani është se në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveçse në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës. Ashtu siç kam qenë do të vazhdojë të jem në krye të detyrës, për të përmbushur obligimet tona ndaj qytetarëve dhe vendit tonë. Cilido që do të jetë epilogu i organeve të drejtësisë jam i gatshëm ta respektojë. Por nuk do të ndalemi në punën tonë, pa marrë parasysh tendencës së presionit”, kishte shkruar Lekaj.

Pal Lekaj, për dy mandate ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, nga viti 2008 e deri në vitin 2014, kur kishte humbur garën nga Mimoza Kusari – Lila.

Pas kësaj, Lekaj ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kishte ushtruar edhe postin e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Pas zgjedhjeve të fundit, ai ishte emëruar ministër i Infrastrukturës, në ekzekutivin kosovar, të cilin e udhëheq shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj. /Insajderi.com