Pal Lekaj kërkon të ndërpriten bisedimet me Serbinë

Pal Lekaj kërkon të ndërpriten bisedimet me Serbinë

Dilema nëse Kosova e Serbia kanë arritur marrëveshjen për tabelat e veturave ka nxitur shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekajn, që të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve mes dy vendeve.

“Demantimi i sotëm nga Maja Kocijançiq i qëndrimit të Edita Tahirit se është arritur marrëveshja për njohjen e tabelave të makinave, është edhe një dëshmi tjetër se si zonja “marrëveshje” në vazhdimësi thotë gjëra të pavërteta vetëm e vetëm për vazhduar dialogu, tashmë abuziv, me Serbinë”, ka thënë Lekaj.

“Përveç mëditjeve, pagave të majme e sorollatjeve të Edita Tahirit, Kosova nuk e ka asnjë përfitim nga vazhdimi i këtij modeli të bisedimeve. Prandaj ka ardhur koha që këto bisedime të ndërpriten e të bëhet një strategji e kjart se si do të dukeshin në të ardhmen bisedimet për gjërat bilaterale në mes dy shteteve të cilat duhet ta njohin njëra tjetrën,” ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Maja Kociançiq ka thënë të premten se në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk është arritur marrëveshja për tabelat e veturave.

Por, një ditë më herët, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri kishte deklaruar se në bisedimet me Beogradin është arritur marrëveshja për reciprocitetet në lidhje me tabelat e veturave, sipas modelit të Greqisë dhe Maqedonisë, që nënkupton vendosjen e tabelave ngjitëse mbi ato ekzistuese për veturat që qarkullojnë nga Kosova drejt Serbisë dhe anasjelltas.

Lekaj po ashtu ka kërkuar që edhe Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, të dorëhiqet nga kjo pozitë.

“Zonja “Marreveshje” duhet të shkojë në shtëpi e të mos vazhdojë të na paraqitet si një negociatore e arrirë, sepse ajo emertimin me “z” edhe mund ta ketë, por me shumë e “zorit” se sa e “zonja”, ka thënë ai duke iu referuar Tahirit./Insajderi.com