Pajaziti flet për përgjimet: Do të duhej të hetohej edhe kryeministri

Pajaziti flet për përgjimet: Do të duhej të hetohej edhe kryeministri

Njëri prej të përfshirëve në përgjigjet e njohura si “Dosja e Shefave”, Zenun Pajaziti, ka folur për to. Ai ka thënë se ishte Grabovci që i kishte telefonuar atij për ta pyetur për disa njerëz që kishin konkurruar për të qenë anëtar të bordeve.

“E para, mendoj që drejtësia duhet t’i hetojë të gjitha rastet. Ishte një thirrje e Grabovcit që më bëhej mua në kohën kur unë isha jashtë vendit dhe më pyeste për disa njerëz konkurrues të një bordi se a i njihja dhe kush ishin”, ka thënë deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti në emisionin Personale në TV Dukagjini.

Pajaziti e pranon se asokohe kishte konkurruar edhe vëllai i tij, por thotë se ai asnjëherë nuk u bë pjesë e bordeve.

“Prej konkurruesve ka qenë edhe vëllai im dhe i cili kurrë nuk është bërë pjesë dhe ai konkurs kurrë nuk është realizuar. Vëllai im asnjëherë nuk ka qenë pjesë e këtyre bordeve. Unë nuk e kisha thirr askënd për t’i bërë presion për ta marrë ndokënd, asnjërin prej tyre”, ka shtuar më tej ai.

“Mendoj që në shoqërinë tonë ky rast ka qenë një rast, e para, unë në raport me privatësinë dhe sigurisë, unë i jap përparësi sigurisë. Por në rastin sikurse ky, nuk ishte puna te siguria, ose te hetimi i rasteve të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por u bë pjesë e agjendave politike”, ka thënë më tej ai.

Megjithatë, Pajaziti ka thënë se drejtësia duhet të veprojë normalisht, dhe nëse ka elemente që persona të ndryshëm janë të inkriminuar, duhet drejtësia ta japë fjalën e vet.

Ai ka thënë se përgjimet nuk do të duhej të publikoheshin, por ato do të duhej t’i shërbenin organeve të drejtësisë.

Madje ai ka thënë se publikimi i përgjimeve ishte shkelje e privatësisë.

“Të Grabovci mendoj se ishte më shumë se kaq (më shumë se shkelje e privatësisë). Kjo për të gjithë ne përdorej nga opozita, shoqëria. Opinioni edhe ashtu mendonte se njerëzit po punësoheshin nga Qeveria etj. etj., dhe këto keqpërdoreshin deri në atë masë sa nuk ishin reale”, ka deklaruar Pajaziti.

Duke folur për hetimet ndaj tyre, ai ka thënë se nëse duhet të zhvillohen hetime të tilla, atëherë duhet të hetohet edhe kryeministri, sepse ai është përgjegjës për emërimin e një bordi.

“Në rastin e emërimeve të një bordi përgjegjës është kryeministri i vendit. Nëse duhej të hetoheshin, do të duhej të gjithë njerëzit në Qeveri”, ka thënë ndër tjera Pajaziti./Insajderi.com