Pagat në sektorin privat për 4 vjet u rritën vetëm 4 euro

17.11.2017 16:06
Pagat në sektorin privat për 4 vjet u rritën vetëm 4 euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon, për herë të parë pagën mesatare për sektorin publik (Administrata), sektorin privat dhe sektorin publiko-privat në Kosovë.

Të dhënat e prezantuara për pagën mesatare bruto dhe neto, sipas sektorëve, në këtë raport janë për periudhën 2012-2016, që do t’u ndihmojë vendimmarrësve në orientimin e politikave të tyre dhe në planifikimin e mënyrave më efektive në mbajtjen dhe motivimin e punonjësve.

Në vitin 2012, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 431 euro, derisa në vitin 2016 ishte 519 euro, një rritje prej 88 eurosh ose 20.42%. Ndërsa paga neto nga 384 euro, sa ishte në vitin 2012, më 2016 u rrit në 457 euro, me 74 euro më shumë, ose 19.17%.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2016 ishte 525 euro, rritje për 118, ose 28.95%. Derisa paga neto në këtë sektor nga 353 euro, sa ishte në vitin 2011, më 2016 u rrit në 449 euro, një rritje prej 96 eurosh, ose 27.09%.

Sektori privat, në vitin 2012 kishte një pagë bruto mesatare prej 367 euro, kurse në vitin 2016 kishte 371 euro, që u rrit me vetëm 4 euro, ose 1.09%. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2011, u rrit ne 337 euro, një rritje po ashtu prej vetëm 4 euro, ose 1.20%.

Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 518 euro, derisa në vitin 2016 ishte 660 euro, një rritje prej 142 eurosh, ose 27.41%. Paga neto, ndërkaq, nga 465 euro, sa ishte në vitin 2011, u rrit në 586 euro, një rrije prej121 eurosh, ose 26.02%.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Për ta vlerësuar nivelin e pagës mesatare të Kosovës janë marrë si mostër pagat e nëntë (9) vendeve të rajonit: Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Mali të Zi, Bosnje e Hercegovinës, Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë.

Te paga bruto, nga nëntë (9) vendet, që janë marrë si mostër, për nga lartësia e pagave Kosova pozicionohet në mes, ndërsa te pagat neto, ajo radhitet pas Malit të Zi dhe Rumanisë, në vendin e tretë.