Paditet Qeveria e Kosovës

Dikur punëtorë të një fabrike që prodhonte tuba, më pas grevistë për të marr paratë që shteti ua ka borxh si kompensim, e tash si paditës të vetë Qeverisë së Kosovës.

Këta ish-punëtorë të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, kanë dorëzuar sot kallëzimin penal ndaj personave që janë përgjegjës për borxhin rreth 25 milionësh që shteti ua ka këtyre punëtorëve.

Këtë e ka konfirmuar edhe avokati Haxhi Millaku, i cili ka shtuar se padia u bë pasi ka material të bollshëm.

Kallëzimi penal është ngritur në Prokurorinë e Shtetit, e siç thonë këta punëtorë, fajtorë për këtë gjendje është vetë Qeveria e Kosovës dhe Isa Mustafa në krye të saj.

Ata fajtorë i shohin, përveç Isa Mustafës, edhe anëtarët e bordit të AKP’së.

Po ashtu, për këto para pati dhënë vendim edhe Gjykata Kushtetuese, duke obliguar Qeverinë që t’ua paguajë atë borxh punëtorëve.

Ndryshe, sipas raportimeve të mëhershme, rreth 900 punëtorëve të kësaj fabrike, shteti i Kosovës ua ka borxh mbi 25 milionë euro./gazetametro.net