Pacolli: Ymerit e Mustafës ju kam thënë të vendosin për opozitë apo të përgatiten për qeverisje

Pacolli: Ymerit e Mustafës ju kam thënë të vendosin për opozitë apo të përgatiten për qeverisje

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka sqaruar edhe njëherë qëndrimin e tij për ultimatumin 10 ditësh ndaj dy partive parlamentare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Pacolli ka folur edhe rreth bashkëngjitjes eventuale të AKR-së me koalicionin PAN.

“Unë jam në koalicion ku jam dhe aty veprojë. Kam një kontratë me këtë koalicion, kemi një marrëveshje dhe jam duke respektuar në përpikëri këtë marrëveshje. Mirëpo, derisa të heshtim në këtë mënyrë komplikohet situata dhe bëhet e paqartë. Mua s’më pëlqejnë paqartësitë dhe nuk më konvenojnë”, thotë ai.

Më tej, presidenti i AKR-së ka treguar edhe rreth kërkesës që ia ka bërë partisë së Isa Mustafës dhe Visar Ymerit. Sipas tij, këto dy subjekte duhet të jenë më koncize sa i përket pozicionimit për të ardhmen.

“Deri tash nuk ka komunikim midis këtyre dy partive. I kam ftuar liderët e tyre dhe të vendosin të rrinë në opozitë apo të përgatiten për një qeverisje ndryshe, kjo më intereson dhe mos të improvizohen gjërat”, është shprehur ai.

Ndërsa, lidhur me raportimet e disa mediave rreth ndarjes së posteve ministrore për partinë e Pacollit, ky i fundit thotë se s’ka diçka korrekte në këtë drejtim.

“Harroje… Po them sinqerisht se s’ka asnjë diskutim rreth ndonjë kërkese. Nuk ka qenë temë e diskutimit me z.Haradinaj dje në shtëpinë time”, ka thënë ai, duke shtuar se e len të hapur bashkëpunimit eventual me PAN-in.

“Nuk e kam thënë por nuk dua ta paragjykojë rrugëtimin tim, por unë tani veprojë në kuadër të një koalicioni dhe qëndrimi im aty është shumë i përgjegjshëm.  Konsiderojë se parteri i koalicionit duhet ta kuptojë se unë nuk jam një njeri që don të përfitojë prej kohës së humbur”.

“Sendet duhet mu rendit njëra pas tjetrës ashtu siç duhet mu rendit i dy partive të cilat kanë mbet në opozitë. Duhet t’ia nisin të bisedojnë dhe t’i shikojnë a janë numrat dhe mbas asaj ta nisin harmonizimin e programit”, ka thënë ai.