Pacolli tregon për intensifikimin e dialogut mes LAA-së dhe Vetëvendosjes

Pacolli tregon për intensifikimin e dialogut mes LAA-së dhe Vetëvendosjes

Kryetari i AKR-së dhe deputeti i LAA Behgjet Pacolli me anë të një postimi në Facebook ka sqaruar takimet e sotme që kanë pasur me drejtues të VV-ë, LDK-së dhe Alternativës.

Pacolli thotë se është biseduar për hapat e radhës për zhbllokim të situatës së krijuar pas seancës së djeshme ku nuk u arrit që të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

“Për atë çfarë ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës, sot në mesditë mbajtëm një takim me drejtuesit e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila dhe Ilir Deda. Ne mesditë, ne të Akr dhe Alternativës zhvilluam një takim edhe me udhëheqësit e VV-së, Albin Kurti dhe Dardan Sejdiu”.

“Në takim diskutuam për hapat e radhës në zhbllokimin e situatës së krijuar pas seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës. U bisedua për domosdoshmërinë e lëvizjes së procesit në krijimin e institucioneve të Kosovës. Në orët e pasdites u takuam edhe me Kryetarin e Ldk, Kryeministrin në detyrë, Isa Mustafa”, ka shkruar ai.

Ai më tej ka folur edhe për takimet mes LAA-së dhe VV-së. Pacolli ka thënë se ky takim ka qenë për koordinimin programor.

Në këtë takim partitë e koalicionit LAA caktuan anëtarët e grupit punues politik dhe atij programor me VV për harmonizimin e qëndrimeve të koalicionit LAA për prioritetet qeverisëse të Kosovës duke u dakorduar për intensifikim të dialogut me VV prej fillimit të javës së ardhshme.