Pacolli demanton Daçiqin: Liberia nuk e ka tërhequr njohjen

Pacolli demanton Daçiqin: Liberia nuk e ka tërhequr njohjen

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka mohuar se shteti afrikan, Liberia, ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Tanjugu i Serbisë ka raportuar sot se Liberia ka tërhequr njohjen, por Pacolli ka akuzuar Beogradin se po bën propagandë për konsum të brendshëm.

“Sapo zhvillova një bisede telefonike me udhëheqësit e lartë të Qeverisë së Liberisë, të cilët ma konfirmuan që tërheqja e njohjes së Republikës së Kosovës nuk është e vërtetë, prandaj është për keqardhje që Beogradi zyrtar vazhdon të investojë përpjekje të kota në propagandë destruktive për konsum të brendshëm në Serbi”, ka thënë Pacolli.

“Në ditët në vijim, marëdhëniet e Republikës së Kosovës me Liberinë, do të kulmojnë në nivelin më të lartë diplomatik”.

Ministri i Punëve të jashtme i Liberisë Gbezongar Milton Findlej ia ka dorëzuar sot shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiqi notën për tërheqjen derisa të zgjasë dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Në notë theksohet se Liberia e ka njohur Kosovën në bazë të njohurisë se Beogradi nuk është i gatshëm të bisedojë për zgjidhje e çështjes së Kosovës.