Pacolli thotë se nuk shkoi në Malin e Zi për të diskutuar demarkacionin

Pacolli thotë se nuk shkoi në Malin e Zi për të diskutuar demarkacionin

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se vizita e tij në Mal të Zi, në cilësinë e kryediplomatit kosovar, nuk është bërë për çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

“Vizita ime në Mal të Zi nuk ka qenë për të biseduar për demarkacionin, dhe është interpretuar keq”, ka thënë Pacolli në RTV Dukagjini.

Sipas tij, vizita në Mal të Zi, në fund të shtatorit, ishte për “kurtuazi”.

“Kam marrëdhënie shumë të mira me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, dhe e falënderoj që në çdo samit dhe takim ku unë kam qenë ai e ka mbrojtur Kosovën me zili”, ka treguar Pacolli.

Ai ka theksuar se ka qenë e planifikuar edhe një vizitë në Maqedoni, por për shkak të takimeve në Nju-Jork, kanë vendosur që kjo vizitë të bëhet me 25 tetor.