Pacolli thotë se nëse formimi i Qeverisë varet nga ai, do ta votojë Haradinajn

09.08.2017 21:03
Pacolli thotë se nëse formimi i Qeverisë varet nga ai, do ta votojë Haradinajn

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar një takim me të nominuarin e PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajn, me të cilin siç thotë ai, ka biseduar për formimin e qeverisë së re të vendit.

Sipas Pacollit, në takimin që ka zgjatur rreth dy orë, nuk është biseduar për ndarje postesh, por për përparësitë apo mangësitë e një “Qeverie Haradinaj”.

“Z. Haradinaj sot më ka vizituar në familje. Ora 10 ka ardhur në familjen time. Kemi pasur dy orë biseda të hapura, bile jashtë në terasë. Kemi bisedu gjerë e gjatë për brengat, për pasojat e vonesës së formimit të institucioneve, për përparësitë që Kosova do të këtë me këtë qeverisje, dhe për mangësitë”, ka thënë Pacolli.

Ish-presidenti i Kosovës ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e votës ndaj Haradinajt.

“Unë nëse e shoh nëse do të ishte vota ime që e determinon e krijon mundësinë e një qëndrueshmërie në qeverinë Haraidinaj do ta votoja. Edhe pa qenë pjesë e qeverisë”, ka thënë ai.

“Por, këtu kemi një problem. Problemi është që disi nuk mundem unë me prishe kontratën me partnerin tim dhe e dyta, por edhe nuk do të them se kjo kontratë është pa limite kohore”, ka thënë ai, duke iu referuar koalicionit me LDK-në dhe Alternativën.

Lidhur me zgjedhjen e  Kadri Veselit në krye të Kuvendit, ai ka thënë se së pari koalicioni PAN duhet ta sjell një emër në Kuvend e pastaj të shihet.

Në këtë kontekst, ai nuk ka mohuar votën as për Veselin.

“Ne duhet ta shohim kush është kandidati së pari. Jam i bindur se në momentin që paraqitet, grupi tjetër do të kërkojë konsultime, ku pastaj pas konsultimeve do të procedohet me votim. Secili deputet është i përgatitur të jap kontributin e vet në favor të formimit të organeve të kuvendit. Ju thash, jam për zgjidhje konstruktive por ta shoh kush është kandidati”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk është në natyrën e tij që të qëndrojë duarkryq dhe të pres skenarë për dalje nga kriza.

“Nuk është natyra ime. Mua më duhet me ec, me vepruar, me kriju. Nëse nuk e bëj këtë, unë nuk jam Behgjet Pacolli. Le ta din edhe partneri im se unë nuk mund të rri duarkryq e të pres ndonjë skenar. Këtë ja kam thënë edhe Mustafës”, ka thënë Pacolli në një intervistë për RTK-në.

“Vota e AKR-së deri në këtë moment është unike me koalicionin. A do të ketë një apo tjetër deputet që dot a shfrytëzojë të drejtën e tij apo të saj demokratike të bëj dicka tjetër s’dua ta paragjykoj”, ka thënë ai./Insajderi.com