Pacolli: Serbia është në dijeni se dita e pajtimit me Kosovën po vije

Pacolli: Serbia është në dijeni se dita e pajtimit me Kosovën po vije

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë sot se Serbia është në dijeni se pajtimi me Kosovën do të vi, ndërsa ka shtuar se ai do t’i gëzohet atij pajtimi.

“Serbia e di që dita e pajtimit me Kosovën do të vijë dhe do të përmblidhen në konkluzat e të gjitha përpjekjeve që janë bërë deri tash dhe këto konklzua do të mbyllen dhe do të ketë një titull, marrëveshja e pajtimit. Unë i gëzohem atij pajtimi, sepse përfiton Kosova, përfiton Serbia, përfiton rajoni dhe qeveria e Kosovës nuk do të ndalet në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka folur edhe për rëndësinë që ka pajtimi për shtetin serb, ai ka thënë se Kosova është njëri ndër klientët më të rëndësishëm për mallrat e Serbisë.

“Serbia është një shtet i konsoliduar ka një pjesë të madhe të vijës kufitare me Kosovën dhe Kosova sot paraqet një klient të rëndësishëm për mallrat e Serbisë dhe çka duhet të ndodhë këtu, duhet të ndodhë intensifikimi i punëve dhe ne sa më shpejtë të punojmë në temat ku mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe kapitalit, mallrave, ideve dhe këtë duhet ta mundësojmë dhe këto ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit jetësor”, ka thënë Pacolli në një intervistë për DW

Pacolli ka folur edhe rreth aplikimit të Kosovës në UNESCO.

“Ne këto momente jemi seriozisht duke menduar që mos të aplikojmë edhe në UNESCO dhe këto janë sinjale të forta që ne i dërgojmë Serbisë, se ne jemi duke i ndihmuar procesit për arsye se pajtimi duhet të ketë edhe një substancë brenda dhe kjo substancë është që Serbia mos të bllokojë në të ardhmen iniciativat integruese nëpër organizatat rajonale evropiane dhe botërore. Unë them se ndoshta në këtë samit do të ishim anëtare të UNESCO-os. Nuk i kushton Kosovës shumë, po presim edhe pak dhe ta pasurojmë kontratën e pajtimit edhe me këto tema”, ka thënë Pacolli.