Pacolli: Pres lëvizje nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje

Pacolli: Pres lëvizje nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, sërish ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja që të “lëvizin” në drejtim të formimit të institucioneve.

Duke komentuar seancën e sotme të Kuvendit, e cila u ndërpre për shkak të mungesës së PAN-it, Pacolli ka thënë se nuk ka kohë për t’u humbur.

“Unë thjesht dua të shoh lëvizje politike nga LDK-ja dhe VV-ja që të formalizojnē marrëveshjen që do i jepte fund krizës politike kurse nga PANI sa ma shpejtë të vijnë në Seancë e mos ta vazhdojnë bllokadën”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij në Facebook.

Por, ai thotë se nuk ka ndryshuar pozicionin e tij, edhe pse mbrëmë në një intervistë për RTK-në, kishte lënë të hapur mundësinë që partia e tij ta votojë Haradinajn në mënyrë që të krijohet një qeveri stabile.

“AKR nuk ka ndërruar pozicionin e vet dhe jemi koherentë me propozimet tona që i kemi dhënë nga dita e parë. Ne e kemi identitetin tonë si parti liberale që ka parim zgjidhjet, dhe jo krizën, shtetin dhe qytetarin mbi partitë politike. Zgjidhje të qëndrueshme po kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.

“Unë dhe AKR, interesin e Kosovës dhe tē qytetarëve e kemi vënë në radhë të parë dhe kërkoj nga të gjithë akterët politikë që të bëjnë të njëjtën gjë dhe të mos kalkulojnë.  Për mua dhe AKR, është me rëndësi që sa më shpejtë të formohen institucionet e shtetit dhe të fillojë implementimi i detyrave që kanë mbetur peng e arrogancës politike.”/Insajderi.com